Rrëfen kosovarja që e përjetoi sulmin e Mynihut: Na kaluan plumbat mbi kokë

23.07.2016 06:51:55

Sulmit që ndodhi në një qendër tregtare në Munich të Gjermanisë, i shpëtoi kosovarja 19 vjeçare nga Gjakova, Edona Rragomi.

Në një rrëfim për klankosova, Edona ka treguar për tmerrin që e ka përjetuar në momentin kur janë dëgjuar të shtënat.

“Kam qenë në McDonald’s kur i kam dëgjuar të shtënat, isha me vajzën e dajes. Pasi I kemi dëgjuar të shtënat e mëdha, kemi vrapuar për ta gjetur daljen”.

“Plumbat na kaluan mbi kokë”, ka treguar Edona.

“Vrapuam pa shikuar prapa.  Jashtë kemi parë një dyqan ku shiten pemë, aty ndaluam për t’u fshehur nga plumbat”.

19 vjeçarja ka treguar më tej se ka parë një numër të madh të njerëzve të cilët ishin në panic, e fëmijë poashtu”.

“Dëgjuam shumë zëra, bërtima”.

Pasi që Edona së bashku me vajzën e dajes së saj, Kujtesa Halilaj e cila jeton në Gjermani, iu shpëtuan plumbave, vajzat kishin dalë në rrugë për të kërkuar ndihmë.

“Kemi dalë në rrugë mos po ndalet ndonjë makinë, atëherë kemi parë autobusin, i cili nuk e hapte derën në fillim”.

“E kemi lutur shumë deri në momentin që e ka hapë derën”, ka thënë Edona.

“U futëm në autobus, kur shikuam jashtë, pamë njerëz të vrarë në tokë. Ne jemi shtrirë në autobus për shkak të frikës”.

Pas gjithë kësaj, Edona së bashku me vajzën e dajës, Kujtesën, kanë arritur deri tek shtëpia e dajes së vajzës, ku tani të dy vajzat nga Kosova janë të sigurta.

Edona është në Gjermani tash e një javë pasi që ajo ka udhëtuar drejt këtij vendi për të punuar tek një biznis të cilin e zotëron daja i saj, babai i Kujtesa Halilaj. (Familja ku po qëndron Edona).

Ajo tha se në Munich do të qëndrojë deri në muajin shtator.

Deri më tani është raportuar për 10 të vdekur dhe të paktën 10 të plagosur nga ky sulm në Munchen të Gjermanisë.