Rrëfimi i banorit të Thumanës: Kati i parë ma shpëtoi familjen, katër sipër nesh vdiqën e për dy tjerë s’ka shpresë

26.11.2019 21:33:33

Derisa mbrëmja tashmë ka arritur, banorët e Thumanës, fshatit më të prekur nga tërmeti në Shqipëri ende nuk kanë një strehë mbi kokë.

Banori i këtij fshati, Vladimir Haxhiu, në një videolidhje për RTV Dukagjinin ka rrëfyer momentet e vështira të mëngjesit të ditës së sotshme.

Ai thotë se edhe në orën 10 të mbrëmjes së djeshme kishte rënë një termet e që banorët menjëherë kishin dalë jashtë por më pas ishin futur brenda pasi gjendja ishte qetësuar.

“Rreth orës 4 të mëngjesit ka rënë tërmeti më i fuqishëm që rrënoi gjithçka. Unë me gjithë familjen time që isha vet i pesti mezi arritëm të shpëtojmë pasi ishim kati i parë. Dhjetë të tjerë që ishin në katet e mësipërme mbeten në rrënoja. Katër nga ta tashmë janë konfirmuar të vdekur, ndërsa për dy të tjerë nuk ka shpresë”, rrëfen Vladimir Haxhiu.

I vendosur bashkë me familjen në një fushë të hapur, ai thotë se ende nuk janë krijuar kushtet e përshtatshme për strehim.

“Pjesërisht ka por jo sa duhet. Deri në këto momente unë vet nuk kam marrë as batanije e as dyshekë. Çadra është duke u montuar”, rrëfen më tej Vladimir Haxhiu.