Rrëfimi i gruas që pretendon se humbi foshnjën shkaku i barnave të gabuara

21.10.2017 21:13:37

Gyltene Bytyqi ka rrëfyer në Gjykatën e Ferizajt se si për shkak të barnave të gabuara që ia kishte dhënë i akuzuari Shemsi Salihu, e kishte humbur foshnjën pak kohë para lindjes.

E dëmtuara tregoi se për shkak të një problemi me lukth (thartirë) kishte shkuar në vizitë te gjinekologu Naim Tërstena, i cili i kishte rekomanduar disa barna që duhej t’i përdorte për problemin që kishte me lukth.

Mirëpo, sipas dëshmisë së Gyltenes, njëra prej 5 llojeve të barnave që kishte përdorur kishte rezultuar fatal për foshnjën që kishte në bark. Kjo për shkak të një gabimi nga pronari i barnatores “Pro Pharm”, tani i akuzuari Shemsi Salihu.

Gjatë fjalës së saj, Bytyqi tha se kontrollet mjekësore gjatë shtatzënisë i kishte kryer rregullisht te Tërstena. Por, në ditën kritike kishte shkuar pa pasur termin pasi i ishin shfaqur disa vështirësi shëndetësore në lukth. Saktësisht kishte ndjerë djegësi. Mjeku i kishte thënë se nuk është diçka serioze. Madje, i kishte bërë edhe një kontroll me ultrazë, ku kishte dëgjuar të rrahurat e zemrës së foshnjës.

“Mjeku më tha që nuk ka mbetur edhe shumë kohë për të lindur”, tha e dëmtuara.

Barnat kishte shkuar për t’ia blerë bashkëshorti i saj Ferati. Gjatë orëve të mbrëmjes, pasi kishte ngrënë darkë, Gyltenja i kishte përdorur barnat dhe një orë pas përdorimit të tyre i janë shfaqur disa probleme në bark, të shoqëruara me të vjella gjatë tërë natës dhe më vonë kishte vërejtur që as foshnja nuk po i lëvizte më.

Këto barna Gyltenja tha se i kishte përdorur tri herë në intervale të ndryshme: një herë në mbrëmje, një herë të nesërmen në mëngjes dhe një herë nuk ishte e sigurt nëse e kishte pirë në drekë apo jo.

Për vdekjen e foshnjës ajo kishte mësuar të nesërmen pas kontrollimit te doktori Tërstena, i cili kur kishte parë barnat që ajo kishte përdorur e kishte mohuar që të njëjtat ia kishte shkruar ky një ditë më parë.

Në Spitalin e Prishtinës e njëjta kishte qëndruar 4-5 ditë me foshnjën e vdekur në bark. Tek në ditën e katërt, sipas saj, e kishte lindur fëmijën të vdekur.

Gjatë kësaj seance, në fjalën hyrëse i pandehuri Shemsi Salihu u deklarua i pafajshëm për veprën penale të cilën e ngarkon aktakuza.

Seanca e radhës u caktua për më 31 tetor. Në cilësinë e dëshmitarit është ftuar mjeku gjinekolog Naim Tërstena.