Rrëfimi i kuzhinieres së Enver Hoxhës: Çfarë më tha kur mu thyen pjatat

02.11.2016 19:07:48

Male Gumi nuk ka qenë partizane. Por ajo qan me lot çdo 16 tetor e 11 prill, sa herë që dega e PKSH-së në Gjirokastër organizon përkujtimore për Enverin, lindjen apo vdekjen e tij. Është 85 vjeçe, e ashtu e rënduar nga mosha, e mbajtur mbi bastun, gjen forca për të qenë aty, për ta përkujtuar, e qarë me lot pra, Enverin që nuk është me prej tre dekadash.

Është ndër të rrallat gra që merr pjesë në kësi lloj organizimesh nga nostalgjikët e moshës së tretë në vendlindjen e ish-udhëheqësit komunist. Ishte dhe para dy javësh në 108-vjetorin e lindjes, aty në Palorto, ku ia puthte foton e kërkonte së bashku me bashkëmoshatarët e saj flokëthinjur e lëkurërrudhur rindërtimin e monumentit të tij.

Po çfarë e lidh plakën Male me Enverin? Thjesht nostalgjia për ish-sistemin e tij apo diçka më tepër se kaq, më e afërt, më intime?

Po. Male Gumi ka gatuar për Enverin, ka qenë ndihmësekuzhiniere në vilën qeveritare në Vlorë. Pra, nga duart e saj është ushqyer ai, “udhëheqësi i shtrenjtë i popullit dhe i partisë”, siç thuhej në atë kohë e siç thuhet sot ende nga një pjesë, edhe nga Malja sigurisht.

E lindur në qytetin e Vlorës, Malja rridhte nga një familje e varfër me shume motra e vëllezër si fëmija i gjashtë në familje. Në të 17-tat e moshës, Males i duhej të punësohej diku, por ajo kurrë nuk e kishte menduar që atë ditë dhjetori do të shkelte në rezidencën numër 2 në Vlorë, aty ku vinte e qëndronte së bashku me familjen Enver Hoxha dora vetë.

“U ngrita atë mëngjes dhe babai im, Zaçja më tha se do filloja punë si ndihëmsekuzhiniere, punë të cilën ma kishte gjetur një mik i famljes. Sapo futem në ndërtesë mbetem e shokuar jo vetëm nga vila por edhe nga oborri me plot lule e me të gjitha llojet e trëndafilave. Në sallon me priste një grua e cila ishte kryekuzhinierja. Më veshi një këmishë të bardhë dhe më tha se duhet të nxitonim pasi dreka ende nuk ishte gati. Ju futa menjëherë punës. Ishte dita e parë që punova në vilën e Enver Hoxhës. Kaluan ditët por unë ende nuk e kisha parë nga afër Enverin. Të dy djemtë e tij qëndronin aty gjatë ditës dhe ne u përgatisnim ushqime të shumta e mjaft të shëndetshme teksa porosinë e merrnim nga Nexhmija”, tregon ajo.

“Dhe me duart që më dridheshin nga emocioni, më në fund, aty rreth datës 13 dhjetor i shërbeva për herë të parë Enverit. Kur mbarova me të servirur pjatat, shkova me vrap në kuzhinë dhe nga frika apo emocioni theva disa gota të cilat po i laja. Kryekuzhinierja nuk foli, ndërsa nga larg më erdhi një zë ku më foli shoku Enver duke më thënë që mos të mërzitesha. Pas kësaj ngjarjeje vija çdo ditë në punë dhe shikoja se sa thjeshtë e mirë ndihesha në shtëpinë e udhëheqësit të shqiptarëve asokohe”.

Por si ishte t’i shërbeje një udhëheqësi? Çfarë i pëlqente të konsumonte më së shumti atij dhe familjes së tij?

“Çdo gjë që shtrohej në tavolinë ishte e pëlqyer nga Enveri pasi gatuhej mjaft mirë dhe kurrë, asnjëherë nuk thoshte se nuk i pëlqente ushqimi. Gjithmonë ne i përgatisnim shumë gatime tradicionale dhe ato ishin më të preferuarat për të. Byreku ishte një prej ushqimeve që nuk mungonte në tavolinë.

Shkova në në atë shtëpi fare e vogël, mësova shumë, punova prej më shumë se 14 vjetësh dhe me pas u shkëputa me kujtimet më të bukura . U largova për të vazhduar rrugën time. Kam pasur një jetë tepër të vështirë pas atyre viteve që lashë punën. Nuk u martova asnjëherë dhe s’munda të krijoja një familje. Gjithmonë e kam dashur një të tillë, por ja që fati ….(dhe qan).

male

Kur vdiq Enveri, si të gjithë të tjerët qava. Kam qarë shumë pasi unë edhe e kisha njohur dhe nuk më është dukur asnjëherë aq hijerëndë, por gjithmonë i qetë në familje dhe në sjelljet karshi nesh.

Do të shkoj në ditëlindjen e tij dhe në çdo datë tjetër sa të kem fuqi, sepse është një pjesë e madhe e rinisë time që është e mbushur me plot histori, të mira e të këqija. Unë sot e them me krenari se i kam shërbyer ish-udhëheqësit komunist, shokut Enver Hoxha”, – përfundon rrëfimin e saj Male Guma, 85-vjeçarja që i shërbeu Enverit si ndihmëskuzhiniere.