Rrëfimi i vrasësit: Fabio më ngacmoi shoqen

15.09.2016 11:11:07

Fabian Muçllari i kishte kërkuar viktimës bashkëmoshatar me të të mos e ngacmonte një shoqen e tij të ngushtë. Në fillim i kishte gjetur adresën në Facebook për t’i shkruar. Por insistimin e tij për t’u tërhequr nga vajza, Fabio Hila e kishte injoruar.

Ai tregoi në polici, se si degjeneroi biseda në sherr e më pas deri tek vrasja. Sipas policisë, 17 vjeçari nuk shfaqi pendesë për krimin, por e tregonte ngjarjen me mllef.

“Fabio ngacmonte shoqen time të ngushtë. Ne nuk njiheshim me njëri-tjetrin, por e kontaktova nga Facebook-u. I kërkova fillimisht të mos e ngacmonte atë vajzën, por ai ma ktheu me tallje çdo përgjigje. I kërkova prapë që ta lërë të qetë atë vajzën, por nuk e ka bërë. Gjatë gjithë kohës unë i flisja seriozisht, por atij i dukej vetja epror dhe të dy u nxehëm. Nisëm të fyenim njëritjetrin dhe pasi e mbyllëm bisedën, unë nuk arrija të gjeja qetësi”, ka dëshmuar 17-vjeçari.

“E gjeta numrin e tij të celularit dhe e telefonova. Ai sërish më foli keq dhe i kërkova të më tregonte ku ndodhej që të sqaroheshim përballë dhe jo me llafe. Më tregoi lokalin dhe i shkova atje. Nuk ishte vetëm, por me disa shokë. Atje më tha disa fjalë që më prekën në sedër. Mendja më shkoi menjëherë tek arma që kisha fshehur mbrapa shtëpisë. Shkova te vendi ku e kisha groposur, e nxora dhe u ktheva te lokali, atje e qëllova dhe ika. Nuk e dija nëse e kisha vrarë apo jo”, është shprehur në dëshminë e tij autori i ngjarjes.

Nga marrja në pyetje e shokëve të tij mësohet se mes autorit dhe viktimës nuk ka pasur njohje të mëparshme, por gjithçka ka nisur pas debatit për ngacmimin e një adoleshenteje, shkruan Panorama.