Rreth 150 shtetas të Kosovës vazhdojnë të mbesin në Siri

25.02.2019 14:40:12

Grupi militant Shteti Islamik (IS) ka humbur shumicën e territorit në Siri, por atje vazhdojnë të mbesin më shumë se 150 shtetas të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, aktualisht në zonat e konfliktit ka luftëtarë, gra dhe fëmijë nga Kosova.

“Numri i luftëtarëve aktualë që gjenden akoma në zonën e konfliktit është 56, ndërsa numri i luftëtarëve të kthyer në Kosovë, apo edhe në vendet tjera nga të cilat kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit është 120”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës.

Nga vitit 2012 e deri me tani, një numër i madh i grave iu bashkëngjiten burrave kosovarë që shkuan për të luftuar në Siri.

“Këtyre luftëtarëve iu kanë bashkëngjitur familjarë të tyre, në zonën e konfliktit, duke përfshirë: 51 gra dhe 52 fëmijë. Aktualisht në zonën e konfliktit gjenden 44 gra, 48 fëmijë”, tha të hënën Policia e Kosovës për Radio Evropa e Lirë.

Gratë kosovare që janë në zonat e konfliktit deri më tani kanë lindur 60 fëmijë të tjerë.

Policia e Kosovës bën të ditur se këta 60 fëmijë tjerë të lindur në zonën e konfliktit janë “së paku nga njëri prind me shtetësi apo me prejardhje nga Kosova”.

Prej se ka filluar lufta në Siri, në periudha të ndryshme, një numër i madh i kosovarëve që luftuan krah grupit militant IS dhe grupeve të tjera të shpallura terroriste, u kthyen në Kosovë. Nga të dhënat e autoriteteve kosovare rezulton se të kthyerit janë kryesisht meshkuj.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i personave të kthyer në Kosovë apo edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 132, përfshirë këtu 120 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.

Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.

“Që nga viti 2012 e deri më tani janë 253 persona të gjinisë mashkullore që në periudha të ndryshme kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit dhe të cilët trajtohen si luftëtarë të huaj terroristë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 79, prej të cilëve 76 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa tre persona, përfshirë këtu një person i gjinisë mashkullore, një person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.

Ditëve të fundit, në disa rajone të Sirisë janë zhvilluar luftime në mes të Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe IS-it.

Qindra Civile që kishin mbetur në zonat ku kishte kontroll grupi militant IS janë evakuuar javëve të fundit nga zonat ku ende po zhvilloheshin luftime, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë të luftëtarëve të huaj, derisa mbetet në pikëpyetje riatdhesimi i tyre.

Në Mbretëri të Bashkuar është duke u zhvilluar debat i gjerë sa i takon kërkesës publike për kthim që bëri britanikja, Shamima Begum, gruaja e një pjesëtari të grupit militant IS. Begum kërkoi nga autoritetet britanike që t’ia mundësonin kthimin, pasi siç deklaroi, dëshironte ta rriste fëmijën e saj në një vend të siguritë, ndonëse tha se nuk ishte penduar për bashkëngjitjen e saj me grupit militant.

Për kthimin e pjesëtarëve të IS-it, bëri thirrje presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili u bëri thirrje aleatëve evropianë “të marrin” mbi 800 militantë që janë kapur në Siri.

“Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët e tjerë evropianë që të marrin mbi 800 luftëtarë (të IS-it) që janë kapur në Siri dhe t’i gjykojnë ata”, shkroi Trump në Twitter.

Të vështirë integrimin e këtyre personave e cilësuan autoritet gjermane.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas tha se është “shumë e vështirë” të organizohet riatdhesimi i shtetasve evropianë, të cilët në Siri i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamik.

Një kthim mund të jetë i mundur vetëm nëse “ne mund të garantojmë se këta njerëz do të ndalohen dhe do të dërgohen këtu në gjykatë”, tha Heiko Maas për televizionin gjerman ARD.

Nga ana tjetër, Zvicra preferon që qytetarët e saj të cilët luftojnë për grupin militant, Shteti Islamik të gjykohen në vendin ku gjenden dhe jo të riatdhesohen në vendlindje për t’u përballur me akuzat penale, tha ministrja e Drejtësisë e Zvicrës, Karin Keller-Sutter.

Referuar shifrave aktuale, në rast të riatdhesimit, Kosova aktualisht duhet të merret me 148 raste të burrave, grave dhe fëmijë që shkuan në zonën e konfliktit si dhe me 60 fëmijët e tjerë që u lindën atje nga gratë kosovare që iu bashkuan burrave të tyre në Siri dhe Irak.

Luftëtarët e IS-it patën fituar kontrollin e disa pjesëve të mëdha të territorit në Irak dhe Siri më 2014, duke krijuar të ashtuquajturin “kalifati islamik”, por forcat e mbështetura nga SHBA-ja kanë larguar militantët nga pjesa më e mëdha e territoreve që kishin nën kontroll.