Rreth 20 punëtorë të MD-së dyshohet se patën kontakt me zyrtarin që rezultoi pozitiv me koronavirus

12.05.2020 14:40:36

Gjatë së hënës një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Deri më tani në Kosovë janë 895 persona të infektuar me koronavirus dhe në mesin e tyre është edhe një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se një zyrtar i saj është prekur me koronavirus pasi që i njëjti kishte kontakt direkt me një tjetër të infektuar.

“Ministria e Drejtësisë ju njofton se gjatë ditës së hënë, më datë 11 maj 2020, pas testimit për COVID-19 nga IKSHPK-ja, një zyrtar i MD-së ka rezultuar pozitiv dhe i njëjti është karantinuar sipas udhëzimeve të Institutit. Rasti i zyrtarit është rast kontakti”, thuhej në njoftimin e MD-së.

Gjatë të martës sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, ka bërë të ditur  se gjendja shëndetësore e këtij zyrtari është stabile.

“Sipas informatave që i kemi pranuar nga zyrtari, ai është në gjendje të mirë dhe nuk vëren pasoja të rënduara shëndetësore”, ka treguar Marmullakaj.

Ai po ashtu ka bërë të gjithë zyrtarët e kësaj ministrie që kanë pasur kontakt me të infektuarin janë vetizoluar në shtëpitë e tyre dhe se siç tregoi Marmullakaj për lajmi.net, vetë zyrtari i infektuar i ka dhënë tre emra të tjerë me të cilët ka pasur kontakte direkt e që edhe ata janë zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë.

“Menjëherë me të marrë lajmin, informatën dje që zyrtari në ministri ka rezultuar pozitiv, e kemi dërguar këtë informatë tek të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë ku i kemi informuar që ata zyrtarë që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me zyrtarin të mos vinë në punë. Zyrtari që ka rezultuar pozitiv i ka dhënë tre emra të zyrtarëve të ministrisë si emra me të cilët ka pasur kontakt të drejtpërdrejt mirëpo, unë sot me të ardhur në zyrë kam kërkuar nga zyrtarët e ministrisë që të identifikojnë nëse ka pasur emra shtesë, pra zyrtarë të tjerë shtesë që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me zyrtarin dhe rezulton që të jetë një numër pak më i madh i zyrtarëve që kanë mundur të kenë kontakt të drejtpërdrejt me zyrtarin e infektuar. Prandaj këtyre zyrtarëve iu kemi kërkuar që të vetkarantinohen në hapësirat e shtëpive të tyre. Ndërsa jemi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë të shohim se si do të bëjmë me zyrtarët e tjerë që kanë pasur kontakt me zyrtarin. Po ashtu jemi duke ndërmarrë edhe masa tjera si ri-dezinfektimin e hapësirave, kam kërkuar që në mënyrë strikte të mbahen masat parandaluese si, maskat dhe dorezat gjatë gjithë kohës në hapësirat e ministrisë”, sqaroi Marmullakaj.

Mirëpo i pyetur se sa mund të jetë saktë numri i personave që kanë pasur kontakt me zyrtarin e infektuar, Marmullakaj ka thënë se janë rreth 20 persona, por që ky nuk është numër i saktë.

Ai thotë se nuk dihet se kur nuk mund të testohen të gjithë këta zyrtarë të dyshuar.

“Shiko, përafërsisht numri diku është rreth 20 sepse keni parasysh ne jemi ministri dhe bashkërendojmë me aktivitete tona gjatë kryerjes së detyrave dhe përafërsisht janë një numër prej 20 zyrtarëve mirëpo, sa kanë pasur kontakt dhe sa ka qenë i drejtpërdrejt kontakti me zyrtarin e infektuar ende nuk e dimë sepse çdo njëri ka një informim që ka qenë kështu apo ka qenë ashtu. Tani për tani nuk mund të bëjmë një vlerësim që këta kanë qenë, këta janë të rrezikuar apo nuk janë të rrezikuar. Nuk e dimë se kur bëhet testimi i tyre, kjo është procedurë e IKSHPK-së dhe nuk kemi informata”, tregoi Marmullakaj.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 895 persona të prekur me koronavirus ku 657 prej tyre kanë arritur që të shërohen dhe fatkeqësisht 28 persona kanë ndërruar jetë të cilët përveç se ishin të prekur me koronavirus, ata vuanin edhe nga sëmundje të tjera.