Rreth ftesës sime Prishtinalive: reagimit të tyre – rreth Vullkanit të vrerit, thua se ishte thirrje, për themelim të ISIS-it!?

18.06.2017 23:39:12
Parmbrëmë, përmes Facebookut, ftova “familjarë e pinjoll të familjeve të vjetra të Prishtinës me Rrethinë”, që të më paraqiten – me qenë se “kishte dhe ka përpjekje për ngjizjen e një Klubi, Bashkësie apo Asociacioni të banorëve të kahershëm të qytetit me rrethinë…”!
Ftova njëkohësisht familjarët – e mbi 300 të pushkatuarve (381 t’pushkatuar!) në përfundim të luftës së dytë botërore – nga Komunistët serbo-sllav – të cilët u pushkatuan në Tauk Bahçe, në pjesën mes Prishtinës dhe Gërmisë, që ne Prishtinalitë, e quajmë me emertim në gjuhen serbe, “Strelishte” (në përkthim: “vend-pushkatimi”)!
Reagimi ndaj iniciativës, ishte si një “Vullkan”! Apo, që të jem më korrekt, ngjanë dy “Vullkane”!?
U mirëprit jashtëzakonisht mirë, nga ata të cilëve iu dërgua ftesa, nga Prishtinalitë…, dhe u prit mirë, për qindra qindra arsye. (Por për këtë pak më vonë).
Por:
A. U derdh ndërkaq, një mal e vullkan përbuzjeje e urrejtje, një mal etiketimesh e fyerjesh krejtësisht pa kulturë – nga më të ndryshmet, ndaj gjithë familjeve të vjetra të Prishtinës, ndaj meje personalisht, sikur edhe ndaj ndonjë familjari tim. Ngjau pra, një llavinë vreri – e cila, s’do ti ngjante askujt tjetër në botë – dhe s’do ti ngjante nga askush, e sidomos jo – prej atyre që s’ju drejtohej fare ftesa, dhe atyre që s’rezikoheshin në asnjë formë nga krijesa e re, nga Bashkësia apo Klubi Prishtinalive…!?
U shpërfaq një kundërshti dhe një lloj “frike” aq e jashtëzakonshme, shumë e madhe – dhe ngjau një kundërshtim i asaj përmase – t’i thua se Unë, Bardhyl Meta – ftova Prishtinalitë të themelojmë një njësi apo filialë operative ë ISIS it! Ti thua – se ua rrezikoj(m)ë jetën, pronën e dinjitetin, qytetarëve të sotëm e të nesërm, jo vetëm të Prishtinës, por edhe gjithë Kosovës…!?
Dhe ky vrer, ngjau edhe nga disa njerëz që i mendoja të dijshëm e të kulturuar, nga disa gazetarë e figura të “fuqishme” të shoqërisë civile, asaj Politike e mediatike, një pjesë të cilëve edhe i respektojë. Natyrisht, s’po flas këtu për ahmak, si puna e Fisnik Ismailit, por për figura që gëzojnë respekt, e se thonë fjalën e fundit, para t’parës, pa pas asnjë pyetje shtesë, nënpyetje, pa i ditë detajet tjera, etj, etj…
S’ka gajle, që m’shanë mua, por disa prej tyre (edhe figura publike), me komentet e tyre – kishin ofenduar e etiketuar pa fije kulture, e pa asnjë hezitim – të gjitha ato familje Prishtinase – të cilat në të vërtetë, as që i njohin, e as që kanë idenë për historitë e tyre, për kontributin apo kalvarin e persekutimeve që kanë përjetuar…, për fatet e tyre individuale apo familjare e kolektive, për egsodin masiv në Turqi e Siri, qoftë me 1928, apo 1933, apo 1956 e 1968, 1981 apo 1999!
Disa ahmak të tjerë, s’kishin hezituar për t’i quajtur e etiketuar, të gjitha familjet e vjetra Prishtinase: kush si “Turqeli”, tjetri si “të pa shkollë”, ndonjë më i mençur edhe si “të frustruar”, ndonjë i shkolluar ndërkaq, i etiketonte si “teneqexhi apo si terzi”, tjetri si mos më keq…!?
E përbashkëta e paragjykuesve ishte se: s’bënë të organizohen e formojnë Klubin apo Shoqatën… – sepse siç thamë, është rrezik, pothuajse si ISIS-i!?
Pra, leje që u përqeshën, fyen e etiketuan, por ishte edhe mobilizim i pa paparë – kundër organizimit të asociacionit!?

Shyqyr, që në atë histeri komentesh dhe atë orgazmë budallakie, u gjet edhe dikush si Adriatik Kelmendi, autori Rubikonit – i cili reagoi me shumë kulturë dhe qetësi, kur shkruajti në faqen e tij:

“Dy-tri pyetje”: 1. “Pse qenka negative që të organizohen asociacione për çkado qoftë nëse ka njerëz që e mendojnë se duhet”? 2. “Pse duhet që njerëzit që nuk e shohin veten si pjesë e një asociacioni t’i poshtërojnë ata që duan të jenë në një asociacion”? 3. “Pse domosdoshërisht u dashka të jenë më “të kompleksuar” ata që duan të jenë pjesë e një asociacioni se sa këta “të kompleksuarit e tjerë” që mbesin jashtë një asociacioni”? Dhe komentin, A. Kelmendi: P.sh. në Amandamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane nënvizohet Liria e Shprehjes dhe Liria e Asociimit, si gurthemel i demokracisë. Në këtë debatin për “pinjollët” ndoshta do të duhej të vlenin të dyja këto”?
Që t’mos harrojë pa e përmend, reagoi me shumë vend, edhe Donika Gashi, apo Ilir Kurti…, gjithsesi, edhe shumë e shumë të tjerë, që s’merren me pshtyerje e ofendime n’Facebook, po shqyrtojnë tema, dilema e çështje…!

Pozitivisht – iu përgjigjën ftesës pjesëtarët e pothuaj 99% të familjeve të kamotshme Prishtinase!

B. Megjithatë, përkundër këtij vreri të pa parë ndonjë herë, që e përshkruajta më lartë, e i cili ngjante edhe aty tek komentet e tek “Ftesa” ime në facebook – po të shiqoni po aty – vazhdonte paralelisht, si një lum, paraqitja e lajmërimi me shumë kulturë – i mesave e nipërve (rreth 300 komente me kërkesë që t’ftohen në asociacion!) të familjeve të vjetra Prishtinase – por, pa replikuar pothuaj asnjë herë, me tjerët që etiketonin…!?
1. Pra, ngjau një reagim jashtëzakonisht i shpejtë e mobilizues i familjarëve të të pushkatuarve në Nëntor 1944 – nga Regjimi sllavo-komunist e Rankoviçist – me ç’rast në Prishtinë, u pushkatuan 381 Personalitete – Intelektual, Elitë, Tregtarë, Avokatë, Biznesmen e Patriotë, anëtarë të familjeve të vjetra të Prishtinës me Rrethinë – për të cilët, as sot e kësaj dite – s’ka asnjë varr, asnjë shenjë, as edhe një nishan!?
2. Dua t’i falënderojë me këtë rast, të gjithë ata që më janë paraqitur – 200 – 300, mes tyre edhe të moshuar 70-80 vjeç, qoftë direkt apo përmes mbesave e nipave dhe familjarëve – të Familjeve të vjetra të Prishtinës e rrethinës – dhe dua t’i falënderojë të njëjtit, edhe për kontributin që dhanë secili prej tyre – pa asnjë përjashtim – duke sjellë në letrat e tyre, edhe sugjerime rreth organizimit të Klubit dhe rreth temave e çështjeve me të cilat duhet të merret shoqata, sikur që më duhet t’i falënderojë edhe për kontributin shtesë që dhanë e po japin – duke sjellë histori të shkurtra të familjeve të tyre, por edhe të familjeve tjera – duke dërguar përplotësimet dhe të dhënat mbi trashëgimtarët e familjeve të tjera, po ashtu Prishtinase – e që disa prej tyre, jetojnë tash në Turqi, por që vazhdojnë të jenë shumë të lidhur me familjarët e tyre në Prishtinë, veçanërisht tash, në kohën e facebookut! Është fjala për shumë familje, të cilat s’ishin përmend nga unë dhe as nga të tjerët, në këmbimet publike…
3. Kam marr, edhe mbi 50-60 emaila në inbox, të familjeve të vjetra Prishtinase, të atyre që kërkojnë të përfshihen medoemos në organizim – për shkak se dëshirojnë, që përmes Asociacionit e Klubit, takimeve e shënimeve të ndryshme – të gjejnë gjurmë, shenja e rrëfime, për familjarët e tyre të vrarë në Prishtinë e rrethinë, apo të shpërngulur nga Prishtina në të 30-tat, 50-tat e tutje – por që s’kanë gjetë e s’kanë ra në gjurmë asjë herë…
4. Prej përfaqësuesve të të gjitha grupimeve, kam marr gjithashtu sugjerime, që Asociacioni e Bashkësia e “Qytetarëve të vjetër të Prishtinës”, duhet gjithsesi e medoemos, të merret, përveç tjerash, edhe me çështjen e “Pronave që i janë konfiskuar Pasanikëve e Tregtarëve dhe Biznesmenëve shqiptarë të Prishtinës” – në Kolonizimet që ka bërë Mbretëria Serbe në vitet 1928, pastaj në vitin 1933-34, pastaj “vala e tretë”, në vitin 1939 – dhe pastaj ajo “Vala Komuniste” e shpronësimit e kolonizimit, në vitit 1945-49! Shumica e Familjeve të vjetra Prishtinase, i ka ende “Tapitë Origjinale” të të gjitha atyre tokave, të uzurpuara nga Mbretëritë Serbe dhe nga Komunizmi! Përmendej pothuaj nga seicili, edhe një botim shkencor – i një Doktorature të një shkencëtari serb (Kosovar) – të cilën unë e kam – e ku gjenden edhe detajet e parcelave e tokave, si dhe emrat e mbiemrat e familjeve serbe – që edhe sot jetojnë në pronat e “Familjeve të Vjetra Prishtinase” – në kolonitë serbe në Qagllavicë, Llapllasellë, Lipjan e atë pjesë të rrafshit…, sikurse edhe në anën tjetër të Prishtinës, në “Devet Jugoviq” e andej kah Llapi, pa harruar edhe gjetiu ato tjerat në drejtim të Vushtrrisë, sikur edhe në vet Vushtrri, Mitrovicë, Pejë, Prizren e gjithë Kosovën.
5. Kam marr gjithashtu sugjerime që Asociacioni, Shoqata apo Bashkësia e ardhshme e Prishtinalive, të sponsorizojë e ushqejë me materiale Emisionet, Dokumentarët e Monogrofit e munguara, të veçanta për Prishtinën e Prishtinasit – dhe që t’zbardhen e dokumentohen tragjeditë, egzodusi dhe etnocidi që kanë përjetuar Familjet e vjetra Prishtinase ndër shekuj -, sikurse edhe të ndriçohen figurat e shumta Patriotike, Intelektuale, Elitat e saj ndër Dekada, figurave të shumta që ka dhanë Prishtina – identitetit të saj unik – sikur edhe aso, që kanë ardhë – dhe i kanë dhanë Prishinës, edhe identitet…!
***

Cilat mund të jenë dëmet që mund ti ketë Kosova dhe Prishtina, respektivisht, Kosovarët dhe Prishtinalitë nga Shoqata në fjalë…?

Atëherë, pa parasysh, të gjithë me sa u tha më lartë: Cilat mund të jenë dëmet që mund ti ketë Kosova dhe Prishtina, respektivisht, Kosovarët dhe Prishtinalitë – qofshin ata të vjetrit, apo Prishtinalitë e pas pavarësimit të Shqipërisë (1912) – ata që erdhën pas Luftës Ballkanike, ata të pas Luftës I dhe të II Botërore, ata që erdhën në vitet e 50-ta, 70-ta, 80-ta e pas 99-ës…?
Unë, nuk arrijë t’i identifikojë ato rreziqe – për të cilat u folë, trumbetua, e u hodh gjithë ai mal ofendimesh – edhe nga disa që n’Prishtinë kanë qenë dy tre herë…!?
– Por unë, dhe gjithë ne që jemi mobilizuar të organizohemi – e dimë, se mund t’i garantojmë të gjithë ata që e duan Prishtinën, qoftë nga fakti se jetojnë në te, apo e duan thjeshtë se është Kryeqyteti i Republikës – se të gjithë mund të jenë të sigurt se asnjë rrezik që të humbasin ndonjë gjë nga asociacioni nuk e kanë: As s’do të humbasin pronë, as identitetin e tyre (të ndonjë qyteti tjetër, të ndonjë fshati apo të vet Prishtinës!), e as s’do t’a humbasin historinë e tyre, as dinjitetin, e as asgjë tjetër…!
Përveç tjerash, nëse lejohet pak ironi, garantojmë edhe se – Asociacioni, Shoqata apo Klubi Prishtinalive – s’do të kërkojë asnjëherë, Pensione veteranësh, apo t’Ju paguhen e konvertohen në Euro, ditët e mbajtura të burgut siç kanë bërë të tjerë…!? Pra, pa frikë…!

Cilat mund të jenë të mirat, që sjellë shoqata “Prishtinalive…” – për qytetin dhe vendin…!?

1. E shumta që mund t’u ngjajë, të gjithë atyre që e donë Prishtinën, përmes veprimtarisë së shoqatës, është se eventualisht ata që donë, do t’fisnikërohen me pak më shumë dije nga që kanë sot, për historinë e qytetit të tyre: Përmes ndonjë rrëfimi apo historie të bukur a tragjike të lexuar apo parë n’TV – apo përmes ndonjë botimi Ekskluziv – për historinë e Prishtinës. Eventualishtë, Qytetarët, por edhe zyrtarët e vendit dhe të qytetit, do të kenë kështu mundësi, ta zamë, që një miku të huaj, një Diplomati që vie për akreditim në Kosovë e Prishtinë, apo edhe ndonjë afaristi a intelektuali, poeti apo thjeshtë turisti të huaj, sikur edhe ndonjë një miku nga Vushtrria, Prizreni apo Ferizaj – t’ia dhurojnë një “Histori të shkurtë, pak më të vjetër se ajo e 1999-ës, të qytetit të tyre, apo të Kryeqytetit të vendit – të Prishtinës…!?
2. Gjithashtu, të gjithë ata që donë Prishtinën, përmes Shoqatës, eventualisht, do t’fisnikërohen edhe me mbamendjen e rrëfimet e Muhaxherëve të Prishtinës (të cilët më dërguan aq shumë letra miradije e përkrahjeje) – e të cilët u pritën, ndihmuan, ushqyen e strehuan në Prishtinë – nga Familjet e vjetra Prishtinase – qysh në vitin e largët 1878 e tutje – pra atëherë, kur u dëbuan nga Nishi, Toplica e Kosova Lindore. Dhe u strehuan, ndihmuan e integruan në qytet, pa ndihmën e “Kryqit të Kuq Ndërkombëtarë”, as të Karitasave e organizata tjera ndërkombëtare, atëherë, më 1878, ineksistente. Dhe sot, siç e dimë të gjithë, Muhaxherët janë pjesë integrale Prishtinës së vjetër – apo edhe të Re-së, janë pjesë e mbamendjes dhe historisë shpirtërore të Kryeqytetit…
3. Përmes asociacionit, Qyteti dhe vendi, pra qytetarët do t’gëzohen e pse jo edhe fisnikërohen edhe me ndonjë fitore – ta zamë në Strasburg (sapo Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës) – me fitore Gjyqësore e vendim valid Ndërkombëtarë – të Familjeve të Prishtinasve të vjetër – të cilëve siç ka ngjarë edhe me familjet tjera në shtete post komuniste të Europes Lindore – do ta fitojnë procesin kundër Shtetit Serb në Strasburg – e do tu kthehen pronat për të cilat kanë tapitë, do t’u paguhet eventualisht edhe dëmshpërblim – ndërkohë që do t’u mungohen ato toka e pasuri Miliardëshe, atyre sebëve, të cilët i kanë shfrytëzuar padrejtësisht tash e 80 apo 100 vjet;
4. Prishtinalitë, mund të përfitojnë përfundimisht edhe nga fakti se qytetit do t’i shtohet, ta zamë edhe një Memorial – që s’është i luftës së 99-ës, por që për çudi të të gjithëve – dëshmon se edhe më herët ka pas gjenocid e etnocid serb, kolonizim, vrasje në masë…, trauma kolektive të atyre Prishtinasve, dhe se edhe para 45-ës e para 99-ës, ka pas edhe dijetarë, tregtarë të famshëm, heronj, atdhetarë e luftëtarë. Prishtinës i është shtuar me të drejtë, një përmendore për Hebrenjtë – ndërkohë që se ka asnjë drasë, as cope guri, as shenim – për 361 intelektual, patriotë e veprimtarë të pushkatuar të prishtinës në “Strelishte”, në të njejtën luftë në të cilën u vranë edhe ata hebrenjtë!
Pra, pa keqkuptime, por, ne s’mund të presim që të vijë ndonjë n’Prishtinë, nga cili do kand i Kosoves, e t’shtrojë kërkesa e të ketë ndjesin për këto çështje, ndërkohë që pa fajin e tij, as që i ka rastisë të lexojë në libra, apo të mësojë në shkollë për tragjeditë dhe kalvarin e Prishtinalive në kohën e Srbive të shumta…!?
Të interesuarit, do të mësojnë, pra, edhe se jo rastësisht – për e rreth Prishtinës e trimave të saj – ka lind jo vetëm ajo poezia e poetit të njohur Shkodran, Hil Mosit, për kryengritjen Prishtinase të vitit 1910-të: “Ani moj Shqiipëri, mos thuaj marrova”, e cila tash njihet më shumë si kanga e Dërvish Shaqës për Prishtinën – por të mësojnë e njohin edhe shumë e shumë poezi e tregime tjera…!
5. Edhe anëtarët e Shoqatës apo Klubit, ndërkaq, do të jenë njerëz më fisnik e më krenar nesër, nga ç’ishin deri dje – meqë ndërmorën diçka, sado me vonesë – për qytetin e tyre, për historinë e tij e të familjeve të tyre – ashtu siç behet në gjithë botën…!? Do t’mburren që n’themele të Prishtinës së Lirë e të Pavarësisë – janë eshtrat e identifikuara – edhe të familjarëve të tyre të vrarë e martirizuar – ndërkohë që disa të tjerë, gjithashtu Prishtinas të kahershëm – do të gëzohen që edhe nipërit e stërnipërit e tyre, do të kenë “dorë” n’Vizionin për Prishtinën e ardhme, e do të gëzohen se ta zëmë, Prishtina e 2030-ës – ka edhe pjesë të frymës, ndjesisë e aspiratës së pasardhësve të tyre!
6. Prishtinasit, e të gjitha “Valëve të migrimit këtu” – pra, Ata, që i dhuruan e po i dhurojnë vendit – Kryeqytetin – besojë se kanë të drejtë që ta njohin, kultivojnë e shpërndajnë gjithandej në botë, historinë e qytetit të tyre – dhe kjo vlen, edhe për ata Prishtinas apo Prishtinali (si të doni) – që u bënë për herë të parë dje apo do të bëhen nesër – banorë të Prishtinës…!
7. Sot, ndërkohë që s’ka mbet pothuaj asgjë nga arkitektura dhe pjesët e vjetra te Prishtinës – s’duhet t’lejojmë që Prishtina t’mos ketë identitet, të mos ketë spirit – shpirt, kujtesë, ndjesi, mbamendje kolektive – Botime, Dokumentare, Memoriale të Gjenocidit 100 vjeçar Serb e të atij Turk – të mos ketë pothuaj fare histori – para vitit sado të shenjtë, 1999!?
8. Miq të dashur – Asociaciacioni, Klubi, Shoqata apo Bashkësia apo sido që do të quhet nga Themeluesit kjo organizatë jo politike e jo qeveritare – do të formohet – ngase ky është vullneti dhe nevoja e identifikuar tashmë – e të gjithë atyre që janë paraqit me email, telefon e facebook!
E ata janë aq shumë, janë shumë më shumë, se ç’mund të imagjinohej dhe ç’mund ta imagjinoj kushdo.
Dhe, miq – me sa vërehet, në çdo shkronjë të letërkëmbimit tonë – aty në atë bashkëdyzim e bashkëpunim ndërtues – ka një energji të jashtëzakonshme pozitive, progresive, dhe mbi të gjitha, fisnike!
Me nderime,
Bardhyl Meta, Prishtinë, 18.06.2017
* Nëse unë jam ndërkaq, Prishtinali, apo s’jam – meqë u shtrua në formë aq të ndytë e të pakulturë nga disa që rrugaqaven ditë e natë n’facebook – dhe meqë pati edhe talentë që sollën edhe konkludime të rreme e fyese, qe dy fjalë:
Kam lind në Prishtinë. Nana ime, vjen nga një familje me traditë mbi 500 vjeçare Prishtinase! Gjyshi im, Fetah Jashari, ka qenë Sekretarë i Prefekture së Prishtinës. Ka qenë poliglot, i shkolluar gjithandej, ndër bashkëpunëtorët dhe njerëzit më të afërt të Xhafer Devës, Ilaz Agushit, Ferhat Dagës etj, etj.
Bashkëshortja e tij, Gjyshja ime, Nafie Tërrnaku – Sedllari, ka qenë pronare e 1/5 së tokave të Prishtinës, dhe mbetet edhe sot mes tjerash, pronare e ligjshme – pra me Tapi, e 156 Hektarëve të uzurpuara e konfiskuara nga Mbretëria Serbe më 1933, dhe një pjesë tjetër, më 1945-1948 – tash pjesë të Ndërmarrjes Komuniste Ratari – si dhe një pjese tjetër, që e kanë edhe sot, Kolonët Serbe të Graqanicës, Llapnasellës e fshatrave serbe për rreth.
Për ata që, me dëshirë që t’na ofendojnë e etiketojnë, të gjithë “Prishtinalitë e Vjetër”, ashtu – en bloc – apo në toptan, e që na quajtën si “Turqeli”, e “Teneqexhi” e s’di çka, pa modesti po e shtojë se, vështirë të gjenden edhe në Shqipërinë e vitit 1940-të, emra – ashtu siç quhet nana ime – Teuta – apo siç quhen vëllezërit e saj, dajallarët e mijë, njëri Agron, apo tjetri, Agim! Ishin marr edhe me Babën tim… mjerim, o mjerim!
Easy, Peaple! Easy! Mos pështyni përpjetë, se Ju…!