Rreth ngacmimeve dhe protestës kundër ngacmimeve seksuale!

23.07.2018 14:35:55

Shkruan: Thëllëzë Kastrati

Jam shumë pro protestës kundër ngacmimeve seksuale në Prizren (dhe jo vetëm, për shkak se ngacmimet seksuale ndodhin në tërë botën), është shumë e nevojshme që të gjithë njerëzit (pavarësisht meshkuj apo femra) të ndjehen të sigurtë në hapsirat publike.

Megjithatë, mendoj se të përkrahësh elementet që na dërgojnë te ky produkt dhe të kundërshtosh vetëm produktin e dalë nga elementet qe përkrahim si shoqëri është e kotë.

Nëse jemi kundër ngacmimeve seksuale (që jam e sigurt që po), duhet të jemi kundër në të gjitha situatat, e sidomos në situata që ato promovohen.
Ne nuk protestojmë për spotet ku femrat përdoren si objekte, për këngët ku ngacmohen seksualisht femrat dhe mburren me abuzimin që u bëjnë femrave, për humorin, letërsinë si dhe gjithçka tjetër të seksualizuar në mediat tona.

 Ne jo që nuk kundërshtojmë, por i përkrahim edhe më shumë meshkujt që i trajtojnë femrat si objekte, si dhe femrat që e trajtojnë veten dhe femrat tjera si objekte. I bëjmë pikërisht këta njerëz këngëtarët tonë të preferuar, aktorët e preferuar, i dëgjojmë tërë kohën, shpërndajmë “artin” e tyre i paguajmë e i “adhurojmë” për ngacmimet seksuale që bëjnë, dhe më pas protestojmë ndaj ngacmimeve seksuale.

Nëse ne nuk edukojmë vajzat tona që nga lindja se janë subjekte dhe jo objekte, nëse lejomë që gjithçka rreth nesh të seksualizohet aq sa dëgjon edhe fëmijët në park të këndojnë këngët që tematikë kryesore kanë seksin,
Nëse figurat mediatike me ndikim në shoqëri ngacmojne publikisht seksualisht,
dhe nëse ne nuk i ndëshkojmë (me tërheqjen e shpërblimeve që ne ua japim si vëmendja, hapsira mediatike, klikimet, pagesat dhe pjesmarrja në eventet në të cilat ata performojnë) por i shpërblejmë këto figura, atëher ne si shoqëri po ndikojmë që numri i ngacmimeve seksuale të rritet. Në këtë situatë të shtosh numrin e dritave, kamerave apo edhe policëve në rrugë është e kotë!

Femrat duhet të jenë të vetëdijshme se jane subjekte e jo objekte. Shoqëria jonë nuk duhet të promovoj një kulturë ku femrat trajtohen si objekte, e edhe më keq objekte seksi. Ngacmimet seksuale duhet të kundërshtohen (ndëshkohen) edhe nga shoqëria dhe jo vetëm nga ligji. Ligji është i pafuqishëm të ndal diçka që një shoqëri e tërë e shpërblen./fokusi.org/