Rrezikohet koalicioni VMRO-BDI në komunën e Tetovës

19.07.2016 18:23:14

Rrezikohet koalicioni VMRO-BDI, në Këshillin e Komunës së Tetovës, pas braktisjes së sërishme të seancës nga ana e këshilltarëve të VMRO-së, të cilët kërkojnë llogari nga kryetarja e komunës Teuta Arifi për deponinë, mosasfaltimin e rrugës “Bllagoja Toska”, mosndërtimin e kishës dhe të morgut tek varrezat krishtere.

“Edhe sot nuk erdhëm deri tek përgjigjet. Pra, si koordinator i grupit të këshilltarëve të VMRO-së ju informoj se edhe këtë seancë do ta braktisim lëshojmë”, deklaroi Goran Jovanovski nga VMRO-DPMNE – Tetovë.

Mundësinë për të mos marrë pjesë në seancat e mëtutjeshme nuk e përjashtojnë as këshilltarët e PDSH-së, përveç pikave që janë me interes vital për Tetovën.

Ndryshe, kjo është seanca e katërt në vazhdimësi që bojkotohet nga këshilltarët e VMRO-së, të cilët akuzojnë BDI-në për mospërmbushjen e marrëveshjes për koalicionim në komunën e Tetovës.