Rreziku nga epidemitë, pas përmbytjes nis dezinfektimi

11.12.2017 20:07:00

Pas tërheqjes së ujit në zonat e përmbytura prania e kafshëve të ngordhura në hapësirë si dhe bashkimi ujërave të zeza me ujin e pijshëm mund të shkaktojnë përhapjen e sëmundjeve infektive.

Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik thonë se ka nisur dezinfektimi i shtëpive të përmbytura.

“Meqënëse rreziku i përhapjes së sëmundjeve infektive ekziston strukturat e shëndetësisë janë duke monitoruar situatën,duke dezinfektuar të gjitha banesat, çerdhet shkolla. Janë duke u bërë dezinfektime në masë në të gjithë zonën e përmbytur”, tha Shkëlqime Poga, ISHP.

Sipas Pogës furnizimi me ujë nga ujësjellësat bëhet vetëm për shërbim komunal në zonat e përmbytura pas në disa zona ka pasur bashkim të ujit të pijshëm me ujërat e zeza. Banorët do të njoftohen nga strukturat vendore se kur do të mund të konsumojnë për të pirë ujin e ujësjellësave në këto zona.

“Po dezinfektohen i gjithë rrjeti i kanalizimeve të ujit të pijshëm”, thotë Poga.

Ndërsa për bagëtitë apo shpendët e ngordhura procesi i groposjes po kryhet nën asistencën e ekspertëve të shëndetësisë për të garantuar pastërtinë tokës në qëndrat e banuara dhe pastërtinë e ujërave sipërfaqësore.