Rreziku nga “Fronti i jugut” 2 dhe strategjia e presidentit Rugova për ta shmangur atë

26.01.2018 15:34:49

Nga Rexhep Kastrati

1

Rreth tri dekada më vonë ka filluar të përmendet i ashtuquajturi “fronti jugor”, që ishte një plan serbo-kroato-boshnjak për të nxitur një luftë në Kosovë në vitet 1991-1993, e që do të përfundonte me qindramijëra shqiptarë të vrarë, me shkatërrimin tërësor të Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, sidomos në pjesën e territoreve shqiptare në ish-Jugosllavi.

Një takim i Milosheviqit, Tuxhmanit dhe Izetbegoviqit në Karagjorgjevë, më 1991, e që ishte një takim që erdhi pas takimit në të njëjtin vend ndërmjet Milosheviqit dhe Tuxhmanit, kishte pasur një qëndrim të përbashkët se çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë, me çka edhe Kroacia, edhe Bosnja ia njihnin Serbisë të drejtën ekskluzive mbi Kosovën.

Ky takim, kishte ndodhur pas zërave se në Karagjogjervë, ishin takuar tinza Milosheviq dhe Tuxhman dhe ishin marrë vesh për ndarjen e Bosnjës, dhe kishte për qëllim që të bindte Izetbegoviqin se nuk kishte pasur një plan apo marrëveshje të tillë.

Në këtë kontekst, ka lindur edhe ideja që të hapej i ashtuquajturi “front i jugut”, pra që të nxitej lufta në Kosovë, dhe Serbia të kishte gjithë mundësinë që të shfaroste një popull të tërë dhe të zhbënte çështjen e Kosovës, Bosnja shpresonte se në këtë mënyrë do të dobësohej Serbia dhe do ta kishte më lehtë, kurse Kroacia, mëtonte që të hapej rruga për ndarjen e Bosnjes.

Ideja e të ashtuquajturit “front jugor” i ishte paraqitzur fillimisht Veton Surroit, e më pas edhe presidentit Rugova, por ky i fundit, në një takim në Zagreb me Franjo Tuxhmanin, kishte refuzuar hapjen e një fronti të tillë, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të kishte luftë, por vetëm masakra mbi shqiptarët.

Koncepti dhe strategjia e presidentit Rugova si për çështjen e luftës, ashtu edhe për çështjen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ishin që të mos përfshiheshin në konfliktet që sllabët kanë me njëri-tjetrin, por të ndiqej procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në bashkërendim me aleatët në krye me SHBA-të. E qëndrimi amerikan u bë i qartë po më 1993, nga presidenti Bush i Ati, me paralajmërimin edhe për Serbinë, edhe për Kosovën që të mos cenonin vijën e kuqe: as Serbia, as Kosova nuk mund të nisin luftë.

Falë kësaj platforme, u bë e mundur që në Kosovë të shmangej një shfarosje kolektive e shqiptarëve, si në Bosnjë, u bë e mundur që NATO të ndërhynte kundër caqeve serbe, dhe forcat serbe të largoheshin nga Kosova.

2

Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, ideja për një “front jugor” në Kosovë dhe në territoret shqiptare në Maqedoni e Kosovë Lindore nuk ka pushuar kurrë. Gjatë viteve të fundit, sidomos kur drejtimin e Qeverisë së Kosovës e mori LDK, kjo ide është riaktivizuar fuqishëm edhe nga Beogradi, edhe nga Zagrebi, me qëllim që t’i hapej kështu zhbërjes së Kosovës dhe ndarjes së Bosnjes. Ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiq ka qëndruar shpesh në Kosovë në takime gjysëmsekrete, e i cili kishte dalë me deklarata nxitëse dhe në favor të lëvizjeve dhe angazhimeve të dhunshme në Kosovë, gjatë viteve 2015-2016. Nga ana e saj, Serbia me të gjithë mekanizmat e saj ishte vënë në funksion të destabilizimit të Kosovës, e që u përmbyll me qëndrimin e përkohshëm të Ramush Haradinajt në Colmar të Francës.

Ideja për të ashtuqujaturin “front jugor” 2 bazën e ka te ideja për “frontin jugor” 1 e që qëllim ka destabilizimin dhe nxitjen e luftave të reja në rajon si mënyrë për ndryshimin e kufijve ndërmmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, dhe jo vetëm. Ideja është që dukr destabilizuar Kosovën, Maqedoninë apo Kosovën Lindore, e në mundësi edhe Malin e Zi, të paraqiteshin shqiptarët si faktor destabilizues në rajon, si cenues të parimeve mbi të cilat është shpërbërë ish-Jugosllavia dhe ishte vendosur paqja, dhe kështu të shpallej i dështuar projekti për shtetin e Kosovës dhe të Bosnjes, por edhe të Maqedonisë e Malit të Zi, dhe t’i hapej rruga ricaktimit të kufijve në dëm të shqiptarëve.

Këtë e kam theksuar vazhdimisht gjatë viteve 2015 – 2016, dhe kam shprehur qartësisht karakterin kundërkombëtar të angazhimeve destabilizuese, të dhunshme dhe anarkiste në Kosovë, e që bëheshin në kuadër të strategjive sllave për ndryshimin e kufijve në dëm të shqiptarëve.

Instalimi i një Qeverie të pakicës, e që varet kryekreje nga Beogradi, pozitat e kundërta të saj në raport me aleatët në krye me SHBA-të, keqpërdorimi i grupeve dhe strukturave të caktuara për të thelluar retorikën kundëramerikane në Koosvë, si dhe veprimet e shpeshta konfrontuese me aleatët, po e krijojnë një parasituatë që favorizon destabilitetin, anarkinë dhe dhunën. Tërë këto po i vënë në pozitë të vështirë aleatët tanë dhe po i rrezikojnë raportet e Koosvës me ta. Në një farë mënyre, sjellja, retorika dhe dinamika e zhvillimeve të viteve 2015-2016 tashmë janë ngritur nga niveli opozitar, në nivel institucional-shtetëror. Tash nuk kemi opozitën me veprime dhe retorikë kundëramerikane, por kemi institucionet kryesore të shtetit. Është e qartë se të gjitha këto çojnë në krizë marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe aleatëve në krye me SHBA-të, si dhe në mundësinë për destabilizimin e vendit me mundësi kalimi në një konflikt shoqëror dhe ndëretnik, me çka do të mund të hapej i ashtuquajturi “front i jugut”, e që do të mund të shtrihej, madje edhe të paraprihej në Maqedoni, Kosovë Lindore apo edhe në Mal të Zi, pa përjashtuar edhe destabilizimin e shtetit shqiptar.

Është e qartë se të gjitha këto, siç kam theksuar vazhdimisht gjatë viteve, bëhen si pjesë e përmbylljes së procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e të cilin e kishte parashikuar edhe presidenti Rugova kur kishte thënë se nëse do të ketë ndryshim kufijsh ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, shqiptarët do të bashkohen me Shqipërinë.

Mirëpo, në gjithë këtë proces, Kosova dhe shqiptarët duhet të përfillin pikë për pikë strategjinë e presidentit Rugova: të ndjekin procesin, por të mos i prijnë ata. Kjo do të thotë që edhe këtë fazë le ta nisin të tjerët, por jo shqiptarët.