Rreziku nga fruthi, Silva Bino: Problem, refuzimi i vaksinës

22.03.2017 13:10:12

Humbja e jetës së 17 fëmijëve në Rumani për shkak të epidemisë së fruthit, si dhe shpërthime të kësaj sëmundjeje ngjitëse në Itali, Francë, Spanjë dhe vende të rajonit, kanë alarmuar autoritetet shëndetësore në vendin tonë për shkak të një tendence për të refuzuar vaksinën kundër fruthit, që bëhet te bebet 12-muajshe.

Sipas shefes së Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, të gjithë epidemiologët në vend duhet të kontrollojnë kartelat e fëmijëve dhe nxënësve në çerdhe, kopshte dhe shkolla.

“Epidemiologëve iu dha rekomandimi për të kontrolluar nëse të gjithë fëmijët në shkollë kanë kartelat e vaksinimit, pasi shkollat janë edhe vendi ku mund të kryhet një përhapje më e madhe e infeksionit. Ata duhet të bisedojnë me prindërit, duhet t’i bindin, e në rastin më të keq mund të shkohet deri në përjashtimin e fëmijës nga shkolla”, tha Silva Bino.

Ndonëse Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një mbulesë të lartë të vaksinimit të popullatës, gati 95%, vitet e fundit është vënë re refuzimi i prindërve për të bërë vaksinën e fruthit, gjë që sipas Binos mund të rrezikojë jetën e fëmijës, por edhe të komunitetit.

“Ka një tendencë në ulje të mbulesës së vaksinimit për fruthin, gjë që lidhet edhe me propagandën antivaksinë që bëhet. Refuzime të vaksinimit ka në disa rrethe, në disa të vogla siç është Peqini apo Delvina, ka në Tiranë, Fier apo edhe në Shkodër”, thekson më tej Silva Bino.

Prindërit, shpesh nga mungesa e informacionit lidhin vaksinën e fruthit me shkaqet e autizmit te fëmijët, që sipas Binos nuk është provuar shkencërisht. Vaksina e fruthit, pasi bëhet te bebet 12-muashe, përsëritet në moshën 5 vjeç.