Rrëzimi i qeverisë Hoti, këto janë arsyet për të cilat Vetëvendosje ka iniciuar mocionin

06.08.2020 18:53:39

Lëvizja Vetëvendosje ka inicuar nënshkrimin e një mocioni të mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Hoti në mes të pandemisë.

VV, qeveria e së cilës është rrëzuar para disa muajsh kishte thënë se vetëm në Kosovë ndodh të rrëzohet qeveria në pandemi, por nuk duket se e ka problem ta bëjë edhe vet të njëjtën ndaj LDK-së.

Menaxhimi i pandemisë është akuza e parë që LVV-ja e ka listuar si arsye për rrëzimin e Hotit me votë mosbesimi.

Me 31 nënshkrimet e deputetëve të vetë, Lëvizja Vetvëvendosje, ka nisur përpjekjen për rrëzimin e Qeverisë, që u votua më 3 qershor të këtij viti. Deri tash, asnjë parti tjetër nuk ka shprehur gatishmëri për t’iu bashkuar.

“Gjatë qeverisjes Kurti numri i qytetarëve që kishin vdekur si pasojë e virusit COVID-19 ishte 30, ndërsa numri i të shëruarve ishte 3,5 herë më i lartë sesa rastet aktive. Nga kjo gjendje, pra të renditur në majat e listës së shteteve për menaxhim të mirë, brenda pak ditësh kjo qeveri e solli vendin me 276 qytetarë të infektuar brenda një dite dhe me shumë të vdekur. Po ashtu e ngritën Kosovën në krye të listave për numrin e të infektuarve dhe të vdekurve”, thuhet në mocionin e LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu e ka kritikuar Hotin edhe për takimet e tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

“Kryeministri Hoti ka deklaruar që platforma e tij është Kushtetuta, por i njëjti ende pa filluar dialogu me Serbinë hoqi dorë nga sovraniteti vetëm për t’u ulur Serbia në tavolinën e dialogut, duke e vënë Kosovën në pozicion të pabarabartë. Madje z. Hoti ka deklaruar që Asociacioni është obligim, pavarësisht që Gjykata Kushtetuese pati thënë që 23 nene të marrëveshjes për Asociacionin bien ndesh me Kushtetutën”.

Më tutje LVV gjithashtu e kritikon Hotin edhe për heqjen e masës së reciprocitetit e cila ishte kërkesë eksplicite e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian