Rritet prodhimi industrial në Maqedoni

30.09.2016 21:18:15

Prodhimi industrial në gusht të këtij viti ka shënuar rritje për 5.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërkaq ka rritje edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, për 5.5%.

Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistika (ESHS), në sektorin e xehetarisë dhe gurthyeseve, industria ka shënuar rënie për 10.5%, kurse rritje ka shënuar në industrinë e përpunimit për 8.4%, dhe në atë për furnizim me energji elektrike, gaz, avullim dhe klimatizim, gjithashtu rritje për 0.9%.

Shikuar në grupet kryesore industriale, prodhimi në gusht të këtij viti ka shënuar rritje në prodhimet e ndërmjetme, përveç energjisë, me 1%, pastaj prodhimet kapitale me 60.8%, si edhe prodhimet afatgjate për shfrytëzim të gjërë, me 69.9%. Rënie ka në energjetikë me 2.3% dhe në prodhimet afatshkurtëra për shfrytëzim të gjërë me 11.6%.