Rritja e çmimeve, dëmtimi politik e inflacioni – efektet e taksës 100% një vit pas vendimit

20.11.2019 21:15:06

Nesër bëhet një vit prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina t’i vejë taksë prej 100 për qind.

Ky vendim i Qeverisë kishte ardhur si kundërpërgjigje për fushatën e egër që Serbia bënte kundër Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Taksa prej 100 për qind ka pasur ndikim në uljen e importit nga këto dy vende, por jo edhe në aspektin ekonomik të Kosovës.

Sipas Doganës së Kosovës, importi nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka rënë në 99 për qind.

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Ai ka thënë se nga Serbia dhe Bosnja këtë vit ka pasur import rreth 6 milionë euro, përderisa para  vendosjes së taksës importi nga këto dy vende ka qenë 365 milionë euro.

“Deri tani kemi pasur import nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina rreth 6 milionë euro pra rreth 3.3 milionë nga Serbia dhe 2.7 nga Bosnjë e Hercegovina, derisa vitin e kaluar kemi pasur 365 milionë import nga Serbia  dhe rënia është 99%”, ka bërë të ditur Stavileci.

Në anën tjetër, Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike, njëherësh ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për lajmi.net, se ky vendim ka qenë kryekëput politik.

Sipas Gërxhaliut vendimet e tilla, siç është rasti i taksës nuk merren pa ndonjë analizë apo studim të fizibilitetit.

“Në rend të parë duhet të kemi parasysh faktin që nuk vinë vendime të tilla do të thotë pa një analizë paraprake, pa një studim të fizibilitetit. E dyta vendimi për taksa të tilla duhet të kenë alternativa hyrëse dhe në të njëjtën kohë krahas alternativës hyrëse duhet të ketë skenare dalës. Në këtë drejtim një vendim i tillë e kam thënë edhe në të kaluarën po e them edhe sot, ka qenë shumë më tepër vendim politik, vendim që qëllimi  ka pasur prodhimin e populizmit dhe kalkulimit për vota”, ka deklaruar Grërxhaliu.

Gërxhaliu ka bërë të ditur për lajmi.net, se vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovina nuk ka pasur aspak ndikim në aspektin ekonomik në Kosovë, pasi që nuk ka pasur as rritje të eksportit të prodhimeve “Made in Kosova”.

Madje ai ka thënë se vendimi i tillë i ka dëmtuar edhe më shumë qytetarët e Kosovës, kështu duke u rritur çmimet.

Tutje Gërxhaliu ka thënë se me vendimin e “Qeverisë Haradinaj”, i është bërë nder i madh Serbisë.

“Mirëpo jemi dëshmitar të asaj që populli i Kosovës është vetëdijesua dhe e dënoi një arrogancë të tillë të pushteteve vendimet e tilla “ad hock”. Ekonomikisht besoj që ka qenë një masë e cila nuk ka ndikuar në rritjen e eksporteve të prodhimeve “Made in Kosova”, nuk ka ndikuar në nivelin e inflacionit, nuk ka ndikuar në krijimin e vendeve të reja të punës, nuk ka ndikuar në promovimin e imazhit por ka ndikuar që krahas krejt këtyre dobësive të kemi sot do të thotë një goditje direkte tek konsumatorët dhe në fund të fundit do të thotë Kosova sot është ndër vendet më të shtrenjta në Evropë që e dëshmon më së miri kriza sociale falë një vendimi të tillë është rritur edhe më tepër. Prandaj besoj që janë këta indikator që mund të argumendojnë do  të thotë qartë se sa ka qenë e dëmshme një masë e tillë, një masë e tillë që në aspektin politik ka qenë ndihma më e madhe që Kosova ka mundur t’ia bëj Serbisë me vet faktin se krejt miqtë ndërkombëtar janë kundërshtar të një vendimi të tillë dhe mbështetës të kërkesave të Serbisë për avancim të dialogut dhe normalizimit të raporteve”, ka deklaruar Gërxhaliu për lajmi.net.

Theksojmë se më 6 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria në largim e Kosovës vendosi taksën prej 10 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse më 21 nëntor kjo taksë u ashpërsua më 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete.

Që nga viti i kaluar kur është vendosur për këtë taksë, Serbia ka bllokuar dialogun me Kosovën duke e kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës, kurse autoritetet kosovare, e në veçanti kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e ka ripërsëritur se taksa nuk do të hiqet deri në momentin kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Në anën tjetër kanë qenë edhe ndërkombëtarët ata që i kanë kërkuar Kosovës heqjen ose pezullimin e taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe të mos ketë pengesa drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, marrëveshje kjo e cila do të sillte paqe dhe stabilitet në rajon.