Rrjetet sociale dhe pushtimi i budallenjve: varianti shqiptar

05.01.2017 12:10:48

Nga Rexhep Kastrati

Umberto Eko ka thënë se “Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve”, dhe se “tani kanë të njëjtën të drejtë të fjalës me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë”. Dhe kjo nuk ka mbetur pa u konfrimuar edhe te shqiptarët, të cilët shpesh kanë ngatërruar shprehjen e mendimeve personale me kompetencën profesionale për çështje të ndryshme deri te ato që kanë të bëjnë me ligjin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Natyrisht, liria e shprehjes është një ndër liritë elementare të njeriut dhe si e tillë është dhe duhet të mbrohet me ligj. Çdo kush ka të drejtë që të ketë mendimet dhe pikëpamjet e tij, dhe t’i shprehë lirshëm ato në mënyrat dhe mundësitë që ka. Rrjetet sociale këtë e mundësojnë në mënyrë shumë të hapur dhe të plotë. Mirëpo, këto rrjete për shkak të natyrës së funksionimit të tyre, kanë bërë të mundur që të mos shfaqen thjesht mendime, dhe të zhvillohen debate për çështje të ndryshme, por edhe të përdoren si mekanizma të agjitacionit dhe të propagandës, të luftës speciale dhe të krijimit të kaosit konceptual për çështje me rëndësi të madhe dhe për çështje që kërkojnë një kompetencë profesionale dhe të përmasave globale. Pa dashur të shprehem si Eko, pra të quaj budallenj, por është shumë e vërtetë se rrjetet sociale janë vërshuar nga injorantë, në kupimin e mungesës së dijes për çështjet që shkruajnë, por edhe të profilit të personalitetit të tyre, trafikantë të patriotizmit dhe biznesmenë të demagogjisë, të cilët imponojnë kaosin si vlerë, padijen si virtyt, dhe pazaret e ndryshme si moral. Edhe në epistemologjinë ndërkombëtare janë paraqitur shqetësime për rreziqet që vijnë nga rrjetet sociale, qoftë për shkak të përdorimit të tyre nga indivdë dhe organizata terroriste, qoftë edhe nga plasimi i lajmeve të rrejshme. Edhe fitorja e Trump në SHBA po konsiderohet si rezultat edhe i lajmeve të rrejshme të publikuara në internet, pra edhe në rrjetet sociale.

Edhe te shqiptarët këto dukuri janë tepër të pranishme, dhe me efekte të mëdha në jetën socio-politike dhe në përgjithësi në çështje publike. Rrjetet sociale, por edhe portalet te ne po përdoren për të zhvilluar agjitacion dhe propagandë, për të zhvilluar luftë speiale dhe për të afirmuar ide dhe koncepte destruktive, kundërnjerëzore dhe kundërkombëtare, pikërisht nga injorantët, trafikantët e patriotizmit dhe nga biznesmenë të demagogjisë që propagandojnë kaosin e ideve, kundërhumanizmin si humanizëm, dëmtimin e interesave shtetërore dhe kombëtare si patriotizëm, anarkinë si të ardhme politike, përmbysjen e institucioneve të shtetit si alternativë kombëtare, heroizimin e kundërheronjve, afirmimin e injorancës sektoriale, pra edhe politike, si vlerë kombëtare, paraqitjen e trafikantëve të ndryshëm, të kriminelëve dhe të plaçkitësve të jetës së njerëzve dhe të pasurisë kombëtare si heronj dhe viktima. Dhe gjithë kjo zhvillohet që nga identitete fiktive, pra njerëz që fshihen mbrapa emrave të rrjeshëm, mbrapa emërtimeve të ndryshme grupore dhe vendesh, e deri te prostituta politike e medietike. Dhe, sikurse edhe në botë, përhapja e lajmeve të rrejshme, demagogjia politike, medietike dhe analitike kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mjete dhe mënyra të zhvillimit të luftës speciale dhe të agjitacionit dhe të propagandës. Mbrapa patriotizmit, ende fshihen masakrenj, trafikantë patriotizmi dhe biznesmenë të demagogjisë dhe patriotizmi ende është territor ku strohen dhe kërkojnë shpëtimin edhe trafikanëtët, kriminelët, spiunët, faqezinjtë dhe idiotët, kurse rrjetet sociale dhe portalet janë treguar shumë efikase për këto qëllime. Është kështu për faktin se ashtu siç ka thënë edhe Umberto Eko, budallenjtë “tani kanë të njëjtën të drejtë të fjalës me një fitues të çmimit Nobel”.