Rruga e pazareve që u kushtoi me jetë Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut

24.02.2017 14:45:20

Nga Rexhep Kastrati

Bekim Kastrati është vrarë mbrëmjen e 19 tetorit 2001 bashkë me Besim Dajakun në një pritë derisa ishin duke shkuar në Llaushë të Skenderajt për të zhvilluar një intervistë me Sylejman Selimin.

Dhe historia e vrasjes fillon që këtu, pra që me arsyen për këtë intervistë. Dhe arsyeja lidhet me një fejton që kishte të bënte me rastin G.G. e që e kishte shkruar Bardhyl Ajeti. Në atë fejton, Bardhyl Ajeti kishte shkruar për një radt të G.G., e cila na qenkësh dhunuar nga UÇK! Ndër personat e akuzuar ishte edhe Sylejman Selimi. Edhe pse kisha kërkuar nga Bajrush Morina që të ndërpritej botimi i këtij fejtoni, pasi që kishte pasaktësi dhe kishte për qëllim të njolloste UÇK-në, megjithatë botimi i tij vazhdoi. Ndër personat e akuzuar aty ishte edhe Sylejman Selimi, i cili kishte bërë një reagim në të cilin sqaronte se nuk kishte të bënte fare me rastin, pasi që në kohën kur kish ndodh rasti ka qenë komandant i Zonës Operative të Drenicës, kurse rasti binte në Zonën Operative të Shalës. Përkundër këmbënguljes sime, reagimi i Sylejman Selimit nuk u botua në “Bota sot” dhe për këtë kishte vendosur Bajrush Morina, i cili po ashtu kishte vendosur që të vazhdonte botimi i fejtonit për rastin G.G.

Megjithatë, më pastaj, pas intervenimit të Gani Gecit, jaran i Bajrush Morinës, ishte vendosur që Sylejman Selimit t’i mundësohej intervistë, të cilën do të duhej ta zhvillonte Bekim Kastrati – korresponsent nëSkënderaj. Vendimi që intervistën ta zhvillonte Bekimi ishte një vendim që nuk mund ta merrte askush pa pëlqimin tim, sepse në marrëveshje me pronarin e ” Botës sot”, ai (Bekim Kastrati), ishte nën autoritetin profesional timin.

Atë ditë kur ka ndodhur vrasja e Bekim Kastratit dhe e Besim Dajakut, në redaksinë e “Botës sot” kishin shkuar Gani Geci, Besim Dajaku dhe Shani Geci dhe ishin takuar me Bajrush Morinën dhe me Sylejman Aliun. Bajrush Morina ishte redaktor i rubrikës së brendshme, kurse Sylejman  Aliu ishte redaktor përgjegjës i redaksisë në Prishtinë.

Dhe kjo kishte ndodhur pasi unë e kisha kryer orarin e punës dhe kisha shkuar në banesë, e që i bie ishin marr vesh mbrapa krahëve të mi, edhe pse nuk mund të vendisnin pa miratimin tim.

Dhe arsyeja se përse Bekim Kastrati ishte nën auroritetin tim kishte të bënte me keqtrajtimin financiar dhe për shkak të fyerjeve që i ishin bërë atij, nga Bajrush Morina dhe nga Sylejman Aliu. Sylejman Aliu e kishte quajtur Bekim Kastratin tradhtar, kurse Bajrush Morina nuk ia publikonte shkrimet dhe bashkë me Sylejman Aliun e diskriminonin financiarisht. Ka qenë ndërhyrja ine te pronari i “Botës sot” që stabilizoi trajtimin financiar të Bekim Kastratit, duke ia caktuar një pagë fikse – 700 marka gjermane, si dhe që tani e tutje ai të ishte nën autoritetin tim profesional.

Pra, së pari Bajrush Morina nuk ndalon botimin e një fejtoni me plotë të pavërteta, që synonte njollosjen e UÇK-së, së dyti, nuk pranon që të botohet reagimi i Sylejman Selimit, së treti, pas ndërhyrjes së Gani Gecit, Sylejman Selimit i mundësohet intervistë, së katërti, vendimi për ta zhvilluar atë intervistë Bekim Kastrati ishte bërë pa miratimin tim dhe mbrapa krahëve të mi. Dhe ky udhëtim do të jetë i fundit, i Bekim Kastratit dhe i Besim Dajakut, pasi që  Bekimi do të vritet në vend, kurse Besimi do të vdesë në spital.

Çfarë pazaresh janë bërë e dinë Gani Geci e Bajrush Morina, por nga ai pazar kanë pësuar Bekim Kastrati e Besim Dajaku.