Rudina Hajdari e pëson si i ati, PD-ja e përjashton, pasi nuk dogji mandatin

12.03.2019 10:58:12

Partia Demokratike ka përjashtuar Rudina Hajdarin nga strukturat pas vendimit kundër grupit duke mos djegur mandatin e deputetit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaron se “Mandati është i demokratëve. Rudina Hajdari nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike” thotë ai. Kështu Rudina e pëson si i ati, Azem Hajdari, i cili u përjashtua dy herë nga Partia Demokratike pas konflikteve të brendshme.

Ajo i parapriu vendimit të PD-së me një mesazh të qartë drejtuar Bashës se ‘Azem Hajdari është përjashtuar dy herë nga Partia Demokratike dhe për këto vendime besoj se Partia Demokratike është penduar‘ tha ajo. Por, pavarësisht mesazhit që i dërgoi lidershipit të PD-së, Rudina Hajdari u përjashtua, ndërsa në deklaratën e tij, Bardhi theksonte se ‘Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm‘.

Postimi i Gazmend Bardhit per Rudina Hajdarin
Vendimi i Rudina Hajdarit është personal. Mandati është i demokratëve! Është e qartë se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton! Në rastin e Rudina Hajdarit, çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike.

Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar. Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 Marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve. 

Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm. Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi. Ata kanë folur qartë më 16 Shkurt dhe do të flasin edhe më qartë më 16 Mars: Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar!