Rusi, katër deputetë shqiptarë vëzhgojnë zgjedhjet

18.03.2018 20:16:34

Luan Rama, Fatmir Mediu nga opozita e Bledi Çuçi me Ervin Bushatin si përfaqësues nga maxhoranca janë caktuar në përbërje të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, në procesin zgjedhor që po mbahet sot në Rusi.

Katër deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë shpërndarë në qendra të ndryshme votimi në kryeqytetin rus, teksa Bushati e Çuçi janë shfaqur së bashku në një njësi votimi në Moskë.

Qytetarët me të drejtë vote në Rusi janë duke votuar në zgjedhjet presidenciale, ku pritet që presidenti aktual, Vladimir Putin të fitojë mandatin e katërt.

Data e zgjedhjet në Rusi përkon me katër-vjetorin e aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, ndërsa  presidenti në detyrë, Putin 65-vjeç, teksa ka votuar në Moskë bëri thirrje që të ketë një interes sa më të madh të qytetarëve në votime.

Grupi i pavarur për monitorimin e zgjedhjeve Golos ka thënë se kanë regjistruar 2,263 parregullsi gjatë procesit zgjedhor, ndërsa lideri opozitar, Aleksei Navalny, shihet si rivali i vetëm i Putin, por me pak shanse për të fituar. Raportohet se disa zyrtarë afrojnë ushqim apo autobusë falas për të nxitur votuesit të votojnë pro Putin.

Mbi 51 për qind e votuesve kanë dalë për të votuar para orës 17.00, me orën lokale të Rusisë. Kandidatët e tjerë, sipas sondazheve, qëndrojnë shumë larg Putin. Sipas sondazheve, kandidati i Partisë Komuniste Pavel Grudinin pritet të fitojë deri në 7 për qind të votave, gazetarja Ksenia Sochak 2 për qind. Kandidatë të tjerë janë: Vladimir Zhirinovsky, Sergei Baburin, Maksim Suraikin, Boris Titov dhe Girogy Yavlinsky.