Rusia kundërshton pretendimet për vrasjen e 10 mijë personave

01.10.2016 17:33:58

Rusia hodhi poshtë pretendimet e djeshme të një grupi monitorues në Siri se sulmet ajrore të saj kanë vrarë rreth 10 mijë njerëz në shtetin e Lindjes së Mesme, që prej vitit të kaluar.

“Ne nuk i marrim në konsideratë dhe nuk kemi shumë besim tek informacionet në lidhje me atë se çfarë ndodh në Siri nga një organizatë me bazë në Britaninë e Madhe”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

E premtja shënoi saktësisht një vit qëkur Rusia filloi fushatën saj të bombardimeve në Siri për të ndihmuar presidentin e atij vendit dhe njëkohësisht aleatin e saj prej një kohë të gjatë, Bashar al-Assad.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH) me bazë në Britaninë e Madhe njoftoi dje se “sulmet ajrore ruse në Siri kanë vrarë rreth 10 000 persona përfshirë rreth 4 000 civilë”.

“Në shifrën e viktimave përfshihen më shumë se 900 fëmijë”, tha OSDH-ja.

Rusia ka mbajtur të njëjtin qëndrim të sajin duke deklaruar se “qëllimi i fushatës së saj bombarduese në Siri është që të çrrënjosin organizatat terroriste, të cilat për një kohë të shkurtër kanë zënë një territor të rëndësishëm në vendin e shkatërruar nga lufta”.

Megjithatë, Rusia është akuzuar se ka vënë në shënjestrën e saj edhe grupet e moderuara kryengritëse që rrezikojnë regjimin e al-Asad-it.

“Ju mund të spekuloni sa më shumë që dëshironi, por qëllimi është që të luftojmë terrorizmin ndërkombëtar”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova.