S ka lobim as viza për Kosovën

17.07.2019 08:21:07

Njohësit e proceseve integruese po i kritikojnë drejtuesit e institucioneve të Kosovës se nuk po lobojnë sa duhet për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian, sidomos tek ato shtete që kanë rezerva në këtë drejtim.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka larg vendimin për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE), ndonëse shumë shtete anëtare nuk janë deklaruar pro kërkesës së vendit për lëvizje në Zonën Schengen.

Franca, Holanda, Finlanda,…, ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së, përderisa Bullgaria, Sllovakia e Lituania kanë konfirmuar se do ta përkrahin vendin në këtë proces.

Megjithatë, derisa shumë shtete me ndikim në BE kanë pikëpyetje për çështjen e vizave për Kosovën, zyrtarët shtetërorë në Prishtinë nuk po lobojnë sa duhet tek ato për t’i bindur shtetet skeptike.

Njohësit e proceseve integruese thonë  se liberalizimin e vizave me BE-në janë duke e penguar disa faktorë, duke përfshirë këtu mungesën e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj.