Sa ironi: apologjetët e ndarjes së Kosovës, çirren kundër ndarjes!

23.07.2018 11:11:03

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur procesi i ndarjes së Kosovës qoftë si ndarje e brendshme si “Republika Srpska”, qoftë si i ashtuquajtur shkëmbim territoresh, apo edhe si skenar ukrainas, ka dal në sipërfaqe dhe është pjesë e pazareve ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, shumë prostituta medietike, e që njëherësh janë edhe rekrutë agjenturash kundërshqiptare kanë filluar të çirren gjoja kundër ndarjes.

Mirëpo, këto prostituta medietike dhe rekrutë agjenturash kundërshqiptare gjatë viteve dhe dekadave kanë qenë tepër të angazhuar në luftën speciale edhe mediale kundër presidentit Rugova dhe LDK-së, dhe në afirmimin e linjës së Tiranës/Kretës dhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste, në format më të egra, përkatësisht edhe si vazhdimësi e agjitpropit të tipit gebelsian, duke vënë në funksion edhe përbaltjen dhe goditjen mbi baza kombëtare.

Nga këto prostituta medietike dhe rekrutë agjenturash kundërshqiptare, të gjithë ata që mbështesnin presidentin Rugova dhe LDK-në ishin udbashë, tradhtarë dhe që meritonin të vriteshin, kurse Hashim Thaçi dhe kompania e tij ishin heronj, patriotë, trima etj.

Heroizimi i linjës së Tiranës/Kretës ishte heroizim i ndarjes së Kosovës, sepse kjo linjë gjithë angazhimin e saj që nga fillimi e ka pasur dhe vazhdon ta ketë ndarjen, përçarjen dhe madje edhe luftën vëllavrasëse.

Këto angazhime u shfaqën që nga kohë e luftës, e cila më shumë ishte e orientuar kundër presidentit Rugova dhe LDK-së si në aspektin e angazhimeve në terren, ashtu edhe në aspektin e propagandës.

Dhe këtë propagandë e bënin prostituta medietike, të indoktrinuar dhe rekrutë agjenturash kundërsqhiptare, e cila vazhdoi edhe në vitet e pasluftës dhe në vazhdimësi.

Në luftën speciale ishte e angazhuar linja udbasho-jugosllavokomuniste, por edhe disa pamflete të dobëta të linjës së Tiranës/Kretës, e që fillimisht kishte uzurpuar gazetën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, “Bota e re”, e pastaj edhe “Rilindjen”, si dhe ndonjë tjetër.

Të kujtojmë se “Bota e re” nuk del më, por dilte “Epoka e re”, si dhe ishte formuar edhe një e ashtuquajtur agjensi “Kosovapress”, si dhe disa të tjera, që heroizonin linjën e Tiranës/Kretës, e cila në terren e kishte ndarë Kosovën qysh gjatë luftës, kurse pas saj kishte filluar pa humbur kohë edhe ndarjen me letra, me takimin e Hashim Thaçit me popin Artemije dhe Momçilo Trajkoviqin, si dhe me takimet e Bajram Rexhepit me Oliver Ivanoviqin.

Në anën tjetër, medie të tilla si “Koha ditore”, e regjistruar në Beograd, më 1997, udhëhiqte luftën speciale, si dhe afirmimin e dy linjave: asaj udbasho-jugosllavokiomuniste dhe linjën e Tiranës/Kretës, duke devalvuar madje edhe vikimat e dhunës politike.

Meqë është përvjetori i vrasjes së kryetarit të degës së LDK-së në Istog, Shaban Manajt, duhet të kujtojmë se “Koha ditore” nuk e quante as viktimë e lë më vrasje politike.

Ndërkohë procesi i legalizimit, legjitimimit dhe përmbylljes së ndarjes së Kosovës vazhdonte, kurse Hashim Thaçi ishte i pacenueshëm dhe i pandalshëm.

Po ashtu, edhe goditja ndaj gjithë atyre që kundërshtonin ndarjen e Kosovës ishte e madhe, e fuqishme dhe e rëndë, dhe përfshinte të gjitha format e goditjeve: vrasje, linçim, bllokim, margjinalizim, vështirësi për ekzistencë etj.

Disa u tërhoqën, disa u gjunjëzuan, disa u shkatërruan, disa u goditën edhe në familje.

LDK u godit fuqishëm dhe u mbush me vegla kondomë, disa të tjerë u shitën për hir të bizneseve dhe të kaluarës së tyre, dhe gjithnjë e më shumë u margjinalizua.

Vdekja e presidentit Rugova, që për disa është e dyshimtë, ishte një goditje e rëndë për LDK-në dhe për vendin, që u pasua me çarjen e saj, me dobësimin e saj dhe me shndërrimin e saj në bisht të proceseve.

Prostitutat medietike – rekrutë agjenturash kundërshqiptare vazhdonin luftën speciale kundër LDK-së, e cila mori përmasa të një çmendurie mediale, duke i krijuar kështu hapësirë dhe lehtësi thellimit të ndarjes së Kosovës.

Gjatë viteve 2015 – 2017, lufta speciale e bashkërenduar me luftën politike dhe të rrugës, nxorën hapur të gjithë skenarët: destabilizimin e vendit me mundësi kalimi në luftë qytetare, skenarët ukrainas, të ashtuquajturin shkëmbim territoresh dhe “Republika Srpskën”.

Ishte e qartë se ky bashkërendim bëhej për hir të interesave serbo-ruse në Kosovë, dhe ky ishte bashkërendim i rekrutëve të agjenturave kundërshqiptare që zbatonin me përikëmëri skenarët serbë dhe rusë kundër Kosovës.

Prandaj, çirrjet e këtyre prostitutave dhe rekrutëve të agjenturave kundërshqiptare gjoja kundër ndarjes së Kosovës, janë vetëm hipokrizi e radhës, përpjekje për të kaluar radhën, si dhe angazhime për të mbytur zërat realë kundërshtues.

Ka edhe nga ata që kujtojnë se në këtë mënyrë mund të lajnë veten nga mëkatet  dhe punët e pista që i kanë bërë gjatë viteve.

Kosova, ndërkaq, ka nevojë për sinqeritet, për mënyra dhe forma të kundërvënies ndaj së keqes që do të ishin efektive dhe që do të pengonin ndarjen e saj në çfarëdo forme.