Sa keq për shokët dhe ish-shokët e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit: Edhe Enver Hasani po shpreson fort në Gjykatën speciale se do i fundosë ata

17.04.2017 16:56:13

Nga Rexhep Kastrati

Enver Hasani, i njohur si rektor i Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, gjatë të cilës kohë na u fabrikuan shumë doktorë shkencash edhe me disertacione të vjedhura, e pastaj edhe si kryetar i Gjykatës kushtetuese që rrëzoi kryengul dy presidentë për llogari të Hashimit, na qenkësh shprehur se Gjykata speciale na qenkësh shpresë për Kosovën e  cila na qenkësh peng i 10 personave të dyshuar për krime mosntruoze të karakterit ndërkombëtar.

Dhe kjo është deklarata më interesante që po e bën diferencën në zhvillimet socio-politike, politiko-institucionale dhe ndërkombëtare në dhe lidhur me Kosovën. Është kështu për faktin se Enver Hasani në të gjitha funksionet publike që ka qenë, ka përfaqësuar të njëjtën linjë të cilët supozohet se i përkasin edhe ata 10 personat e dyshuar për krime mosntruoze ndërkombëtare, si dhe ka hyrë në jetën publike dhe politike edhe si përkthyes i Hashim Thaçit në Rambuje.

Gjykata speciale si shpresë, e deklaruar kështu edhe nga Enver Hasani, në këtë mënyrë ka fituar edhe legjitimitetin moral përballë akuzave se kjo Gjykatë do ta gjykojë UÇK-në, do ta njollosë UÇK-në dhe luftën çlirimtare, pasi që edhe sipas Enver Hasanit nuk gjykohen shtetet, por vetëm individët e dyshuar për krime monstruoze ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, po bien edhe arsyet morale që kanë shtyrë të ashtuquajtura shoqata të dala nga lufta që të kërcënojnë vendin dhe të bllokojnë Kuvendin.

Mirëpo, ky qëdrim e Enver Hasanit nuk duhet parë si i izoluar, por si përpjekje e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për ta paraqitur arrestimin dhe burgosjen e personaliteteve të rëndësishme dhe të të fortëve jo si tradhti ndaj tyre, por si një domosdoshmëri që kërkohet nga ndërkombëtarët, prandaj edhe si një kontribut për vendin, për të shmangur kështu edhe përplasjet e brendshme në të ashtuquajturin krah i luftës.

Natyrisht, të gjitha këto angazhime hipokrite  dhe pse jo edhe gjarpërore të Hashimit dhe të Kadriut, janë kuptuar me kohë nga shokët dhe ish-shokët e tyre dhe ajo që po i mban është niveli i fundit e solidaritetit ideologjik dhe shpresa se mos këty dy, subjektet tjera dhe agjentura kundërshqipare do të arrijnë ta destabilizojnë Kosovën dhe ta bëjnë lesh arapi që të mund të shmanget funksionalizimi i Gjykatës speciale. Tashmë këtë ua ka konfrimuar edhe Enver Hasani, i cili si duket po i fërkon duart nga ngazëllimi për Gjykatën speciale.

Ajo që mbtetet të shihet a është Enver Hasani në grupin e atyre që po ua bëjnë gropën shokëve dhe sish-shokëve, përkatësisht a është edhe ai pjesë e pazareve që për të shpëtuar veten kanë ndihmuar të kompletohen dosje kundër tyre.