Sapo doli nga shtypi libri me poezi “Ora e prishur e dheut” Dije Neziri – Lohaj

07.08.2020 20:11:44

Dije Neziri – Lohaj u lind më 10 shkurt 1965 në Shkup. Aty ka mbaruar vetëm dy klasa të shkollës fillore, pasi familja e saj u shpërngul në Ferizaj. Këtu kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i përfundoi në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës. Ajo tani është profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare në shkollën fillore “Gjon Serreçi” të Ferizaj. Ka të botuar librat poetik: “Ëndrrat për atdheun”, (2009), “Cunamët ua solla unë” (2013), “Gjëma e paqes” (2015).

Fuqia e ekspresionit poetik
Nga Ramadan MUSLIU
Poezia e librit “Ora e prishur e dheut” shtrihet brenda një amplitude tematike që fillon me aktualitetin, kalon në trajtim të preokupimeve subjektive deri në intimizim, për të përmbyllur këtë qark me evokacion të realiteteve morbide të jetës në burgje që të gjitha në mënyrë të pakontestueshme dëshmojnë se poetja ka eksploruar përvojat personale, duke e vënë një lloj ndërgjegje kritike në rolin e një hipërvetëdijeje që sheh gjithçka dhe që vlerëson, merret vesh sipas parametrave estetik. Të gjitha këto përvoja të tipëve të ndryshme, duke qenë se vëhen nën filtrin subjektiv, ato pikërisht nga kjo arsye marrin një kromatikë me modualcione specifike, që nga narrativa e drejtpëdrejt, rrebelimi deri në mohim, kërkimi me ngulm i etikosit në sjelljen e njeriut tonë nga përditshmëria, subjektivizmi që kalon në lirizëm sublim e deri te evokacionet e momenteve pothuajse morbide të jetës. Duke prekur të gjitha këto modulacione ato nuk largohen nga njëra-tjetra në mënyrë radikale, porse ndryshojnë vetëm formë. Të gjitha këto momente poetike dhe situata që lidhen me përvoja konkrete ruajnë një lloj ekspresiviteti, një ngjyrë gri, një si mugë që as është dëshprim e fatalizëm, por më shumë frikë para të ardhmes. Nëse ky ekspresion vjen nga errësira e situatave të jetës, ajo në poezi shfaqet si një ngjyrim që duket si një hijezim në pikturë, si një lloj veli që mbulon bojkotet të cilave u jep një fuqi më të madhe të përceptueshmërisë së figurës poetike, imazhit të tërsishëm dhe kompozicionit. Kështu ky hijezim që është lloj specifik i ekpresionit artistik shndërrohet në tipar estetik dallues. Meqenëse ekspresioni dhe kromatika e errësuar shtrihet nëpër gjithë poezitë, ky ekspresion arrin që të shndërrohet në një konstantë artistike, stereotip individual i poezisë që do të thotë se shkon në të mirë të forcimit të konceptit estetik të teksturës poetike të kësaj poeteje.