Sajmir Tahiri: U paraqita në Prokurori me kërkesën time për sqarime ndaj akuzave

28.10.2017 10:01:19

Pas përfundimit të procesit të marrjes në pyetje, ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë,  Saimir Tahiri tha se u paraqit në Prokurori me kërkesën e tij për të dhënë sqarimet në lidhje me akuzat.

“Dua të falënderoj prokurorët që morën parasysh kërkesën time për të pasur një hetim sa më të shpejtë në kohë, sa më të gjithanshëm dhe sa më objektiv. Me kërkesën time u paraqita për të dhënë shpjegimet e mia dhe për të shprehur gatishmërinë sot dhe kurdoherë, deri në fund me çdo mjet timin dhe disponibilitetin tim personal për t’iu përgjigjur çdo kërkesë të prokurorisë.

Unë nuk kam ndërmend ta bëj betejën time për drejtësi para jush apo akoma më keq ta kthej në një histori debati politik. Unë them që debati politik lidhur me këtë histori duhet të mbyllet, unë betejën time e kam para drejtësisë dhe shqiptarëve. Do ju kërkoja që atë që bëra me prokurorët brenda të mos e bëja edhe këtu se është punë e dyfishtë. Të jeni të bindur se unë jam tërësisht i disponueshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetje. Do përpiqem gjithçka jam dhe me gjithçka kam për ti shkuar deri në fund të drejtës sime dhe të vërtetës sime”, tha ai.

Ish-Ministri i Brendshëm u mor në pyetje nga prokurorët Artan Prençi dhe Vladimir Mara, pjesë e grupit të prokurorëve që merren me këtë çështje, ndërsa numri gjithsej i prokurorëve të angazhuar për çështjen është 5.

Gjatë dëshmisë së tij, prezent ishin dhe dy avokatët e tij Artan Hajdari dhe Maks Haxhia. Kërkesa që Tahiri të paraqitet u bë një ditë pas kontrollit që iu bë në banesën e tij, ku oficerët e policisë gjyqësore nuk kanë gjetur ndonjë provë shtesë rreth dosjes.  Kërkesa për marrjen në pyetje të Tahirit është firmosur ditën e djeshme nga Prokurori Besim Hajdarmataj.