Sali Berisha përkujton Rugovën: Rama nuk lejon vendosjen e shtatores së Presidentit legjendar në Tiranë

21.01.2018 21:52:12

Ish-kryeministri i Shipërisë, Sali Berisha, ka përkujtuar sot 12 vjetorin e vdekjes së Presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Përmes një statusi në Facebook, Berisha shkruan se sot shqiptarët kudo që ndodhen dhe e gjithë bota mbarë i përulen veprës së pavdekshme të Presidentit Rugova.

Ndërsa shton se është turpshme që prej 5 vjetësh kryeministri Rama ka ndaluar vendosjen e shtatores së presidentit Rugova në Tiranë.

Ja postimi i ish-kryeministrit Berisha:

Sot 12 vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova!

Të dashur miq, sot është 12 vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit legjendar, gjeniut vizionar të kombit shqiptar, arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët kudo në botë sot nderojnë me mirënjohje të pakufishme veprën e pavdekshme të presidentit Rugova, burrit të shtetit që shkriu jetën për Kosovën e lire, të pavarur e europiane, dhe për gjithçka që bëri për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar.

Prej gati pesë vitesh, albanofobi Edvin Kristaq Rama, njeriu që ka vendosur në gjoksin e famziut Bregoviç çelësin e artë të kryeqendrës së vendit, ka bllokuar vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova në Tiranë, por Gandi i shqiptarëve, i Ballkanit dhe Europës jeton përjetë në mendjet, në zemrat dhe lirinë e mbarë kombit tonë! sb