Salihaj flet për dëshmitë e Shkumbin Mehmetit, thotë se urdhërdhënësit e krimeve janë në krye të shtetit

12.01.2018 20:27:44

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka komentuar deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmetit për vrasjet e pasluftës.

Salihaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se dëshmit që i prezantoi mbrëmë Mehmeti nuk dolën për herë të parë në opinion dhe as befasisht ,sepse sipas tij shumica prej tyre janë publikuar edhe më pare nëpër portale dhe media te ndryshme.

“Të gjitha këto dëshmi janë të njohura për prokurorinë,policinë dhe gjykatat. Por,ato,në vend që t’i ndjekin kriminelët,e bëjnë të kundërtën,i fshehin dëshmitë dhe krimet,i mbrojnë kriminelët dhe i rrezikojnë edhe më tutje viktimat”,ka shkruar Salihaj.

Postimi i plotë:

Dëshmitë e Shkumbin Mehmetit nuk dolën mbrëmë për herë të parë në opinion dhe as befasisht ,sepse shumica prej tyre janë publikuar edhe më pare nëpër portale dhe media te ndryshme. Të gjitha këto dëshmi janë të njohura për prokurorinë,policinë dhe gjykatat. Por,ato,në vend që t’i ndjekin kriminelët,e bëjnë të kundërtën,i fshehin dëshmitë dhe krimet,i mbrojnë kriminelët dhe i rrezikojnë edhe më tutje viktimat. Të gjithë ne që kemi qenë viktima të atentateve e tentim atentave,edhe sot jemi plotesisht të rrezikuar,sepse jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të tyre. Urdhërdhënësit e krimeve janë në krye të shtetit,ndërsa shteti ynë është tërësisht i kriminalizuar në çdo segment të tij. Asnjë prej segmenteve të drejtësisë e të shtetit në tërësi nuk është jashtë kontrollit të strukturave të krimit të organizuar. Ndoshta Gjykata Speciale do ta zbardhë një pjesë të vrasjeve politike,por jam i bindur se shumica do të mbeten të pazbardhura,sepse janë kryer pas 31 dhjetorit 2000.