Salihu i unitetit të fjalës dhe veprimit, i vullnetit dhe vendosmërisë për liri, si dhe enigmat e vrasjes së tij

19.04.2019 15:41:55

Nga Rexhep Kastrati

Salih Çekaj, personaliteti intelektual, profesional, kombëtar e ushtarak i të cilit është i veçantë jo se sot janë bërë 20 vjet nga vrasja e tij, por për shkak se kishte një unitet ndërmjet fjalëve dhe veprimeve të tij, e jo si shumë të tjerë që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë!

Salih Çekaj me mesazhet që përcillte gjatë komunikimeve të tij me të tjerët, ngjallte frymëzim, besim, vullnet, optimizëm dhe guxim për të vepruar, për t’u organizuar, për t’u bashkuar që të sendërtohet liria (rezistenca ushtarake), pavarësia (hartimi i Statutit të komunës së Deçanit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës), demokracia (respektimi i vullnetit të shqiptarëve për organizim polituko-institucional në krye me presidentin Rugova, por edhe vullneti për të respektuar dhe bashkëpunuar të gjithë ata që përfaqësonin ide, program dhe orientim kombëtar).

Salih Çekaj me veprimtarinë e tij u bë mishërim i kompleksitetit, shumëdimensionalitetit dhe të përmasave të filozofisë politike të presidentit Rugova, jo vetëm pse ishte i angazhuar në degën e LDK-së në Deçan, e pastaj në Gjermani, por edhe për shkak se mishëroi organizimin civil-politik më organizimin ushtarak-politik në nivel të organizimit institucional, duke sintetizuar atributet thelbësore të organizimit institucional të politikës dhe të rezistencës.

Në këtë kontekst duhet kuptuar angazhimet e tij për të organizuar jo vetëm administratën komunale në Deçan në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe organizimin e grupeve guerile në Dukagjin, Drenicës e Llap, për të organizuar mbështetjen e plotë për këto grupe nga mërgata shqiptare, kontributin për organizimin dhe funksionimin edhe të ministrisë së Mbrojtjes në krye me kolonel Ahmet Krasniqin.

Vrasja e ministrit, kolonel Ahmet Krasniqi, zhvillimet brenda dhe rreth saj, nuk do të jenë pa gjurmë në gjithë organizimin institucional të luftës, e që në mënyrë të veçantë do të vërehen në betejën e Koshares.

Kur jemi të kjo betejë, duhet të jetë e qartë se përmasat motivuese të saj, si dhe përmasat organizative dhe strategjike nuk do të ishin të tilla pa urtinë, vizionin dhe zotësinë e Salih Çekajt, i cili kishte mbi vete përvojën organizative guerile që nga viti 1991, përvojën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit më ministrin, kolonel Ahmet Krasniqi nga kishte marë edhe vizionin për thyerjen e kufirit.

Vrasja e tij, më 19 prill 1999, pra 10 ditë pas fillimit të betejës së Koshares, dhe 8 ditë pas vrasjes së Agim Ramadanit, ishte një goditje e rëndë për vetë organizimin institucional dhe për vetë rrjedhat e luftës.

Vrasja e Salih Çekajt në fillet e betejës së Koshares, në fakt ishte përmbyllje e ciklit të vrasjeve të drejtuesve të grupeve guerile të vitit 1991, e që bartën organizimin e rezistencës guerile institucionale, vrasje që u kryen brenda një periudhe 2 vjeçare: Zahir Panariti, si udhëheqës i grupit të Llapit, u vra bashkë me Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun, më 31 janar 1997; Adem Jashari, udhëheqësi i grupit të Drenicës, u vra bashkë me babën, Shabanin, vëllain, Hamzën dhe më dhjetra familjarë të tij, më 7 mars 1998, për t’u përmbyllë me vrasjen e Salih Çekajt, më 19 prill 1999.

Kam thënë që nga fillimi se vrasja e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe e Adem Jasharit më familje, ishte bërë për të shkëputur çfarëdo lidhje të këtyre grupeve më organizimin institucional, e fatkeqësisht mund të thuhet se edhe në rastin e vrasjes së Agim Ramadanit dhe Salih Çekajt, qëĺimi mund të ketë qenë eliminimi i tyre për të hapur rrugën për zhvillimet që do të pasojnë e që do t’i trajtoj në një rast tjetër!

Çështja që duhet të zgjidhet është: Agim Ramadanin dhe Salih Çekajn i vranë forcat serbe, apo ndonjë dorëmallkuar shqipfolës, jo vetëm se ka dyshime të thella, por edhe për shkak të rrethanave në të cilat janë vrarë!