Sami Dangëllina, njeriu që kaloi 43 vite burg

13.08.2016 13:56:17

Para pak ditësh, më 1 gusht, Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë të diktaturës komuniste me iniciativën e drejtorit Bilal Kola, organizoi një takim përkujtimor për Sami Dangëllinë, njeriun rekordmen që ka vuajtur më shumë vite burg në Shqipëri, plot 43 vjet. Dhe vdiq në burg.

Një nga bashkëvuajtësit e tij, shkrimtari Daut Gumeni i bëri një përshkrim Dangëllisë, që do ta lexoni mëposhtë…

Përkujtimi i Sami Dangëllisë dhe i shokëve të tij të rrallë, është një domosdoshmëri për shëndetin e shoqërisë shqiptare të këtij tranzicioni të zgjatur si formë e inercisë së diktaturës. Është detyrë jo vetëm e Institutit të të Përndjekurve Politikë të diktaturës, por më duket se është detyrë e mbarë shoqërisë që të mos lejojë të harrohen Sami Dangëllinjtë tanë të djeshëm. Të mos harrohen jo vetëm prej miqve dhe bashkëvuajtësve të tyre, që nuk i harrojnë dot, por të mos harrohen sepse përbëjnë një nga ato vlera të çmuara njerëzore, pa të cilat brezat e rinj mund të vijë një ditë të vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën e diktaturës komuniste gjysmëshekullore në Shqipërinë tonë!…