Samiti i BE në Maltë, diskutohet kriza e emigrantëve

03.02.2017 12:02:13

Liderët e Bashkimit Europian do të takohen në Maltë për të diskutuar si të ndalin fluksin e emigrantëve që vijnë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme. Samiti organizohet pasi Kryeministri italian, Paolo Gentiloni tha se kishte arritur një marrëveshje me Libinë për të ndaluar emigrantët që të lundrojnë drejt Europës.

Ai tha se ka rënë dakord që Libisë t’i jepen më shumë fonde dhe trajnime për të ndaluar trafikun e njerëzve. Qindra-mijëra emigrantë përpiqen çdo vit që të arrijnë në Europë dhe shumë prej tyre mbyten gjatë kalimit të Mesdheut.

Roja Bregdetare italiane tha se gjatë 24 orëve të fundit ka shpëtuar 1750 emigrantë në det duke treguar se fluksi i tyre vazhdon të jetë i lartë. Që prej rrëzimit të ish-diktatorit Muamar Gadafi në vitin 2011, Libia është një shtet pa ligj, i ndarë në zona kontrolli mes fraksioneve lokale, diçka që e ka bërë mjaft të lehtë punën për trafikantët e njerëzve.

Kryeministri italian Gentiloni, tha se mënyra e vetme për të ndaluar fluksin e emigrantëve është një angazhim i përbashkët ekonomik i Bashkimit Europian. Vendet mesdhetare, ku zbarkojnë emigrantët duan që pesha e tyre të ndahet me vendet e tjera të BE duke i shpërndarë ata në Europë. Por kjo ide ka hasur rezistencë të madhe dhe zgjidhja e vetme mbeten fondet për libianët që të mos lejojnë nisjen e emigrantëve, diçka që vite më parë e bënte regjimi i Gadafit.