Samiti i Sofjes shpërfaqi gjendjen e BE-së brenda saj dhe në raport me gjeopolitikën evropiane dhe botërore

19.05.2018 20:10:37

Nga Rexhep Kastrati

Samiti i BE-së në Sofje me shtetet e Ballkanit që mëtojnë të bëhen anëtare të saj, në mënyrë më të qartë nxori në sipërfaqe elemente të qenësishme që kanë të bëjnë me të.

I konceptuar si një samit për Ballkanin, përkatësisht për perspektivën europiane të tij, ky samit nxori në sipërfaqe mosunitetin e BE-së në rapport me vetë procesin e integrimit evropian të shteteve ballkanike, por edhe vetë aspekte funksionale të tij.

Refuzimi i kryeministrit të Spanjës, Rahoj, për të marrë pjesë në këtë samit, qasja gati kundërintegruese e presidentit francez, Macron, dhe qëndrimi gjerman për një perspektivë europiane të shteteve të Ballkanit, janë vetëm disa aspekte që hedhin dritë mbi gjendjen e brendshme të vetë BE-së, si dhe në kontekst gjeopolitik.

Është thjeshtësuese teza se kryeministri i Spanjës, Rahoj ka refuzuar të marrë pjesë në këtë samit për shkak të Kosovës, e që kontekstualizohet në kontekstin katalonas, pasi që ka pasur shtete të tjera, si Qipro për shembull, që kanë probleme më të theksuara sesa Spanja me Kataloninë, por që kryeministrat e tyre kanë marrë pjesë në këtë samit.

Arsyetimi i kryeministrit Rahoj se nuk merr pjesë në këtë samit për shkak të Kosovës, mund të jetë vetëm një arsyetim formal dhe jo i sinqertë, kurse arsyet e vërteta mund të lidhen me përpjekjet e Spanjës për një rol më të fuqishëm brenda BE-së, në kontekst të angazhimeve të gjithëmbarshme brenda saj (pra brenda BE-së), për ridimensionimin e rolit të tyre brenda saj.

Spanja është një shtet me një të kaluar të përmasave ndërkontinentale, sidomos në shtetet ameriko-latine dhe në Afrikë, ashtu siç kanë qenë Anglia, Franca, Italia, dhe që vazhdon të ketë një ndikim shumë të madh dhe thuajse vendimtar në ato shtete. Kjo është reflektuar edhe në rastin e Kosovës, pasi që janë shtetet latino-amerikane që refuzojnë ta njohin pavarësinë e saj.

Këto synime të Spanjës, janë të ngjashme me synimet e Francës, e cila, edhe pse ka rol të fuqishëm në BE, megjithatë kërkon që të ketë rolin kryesor dhe në përcaktimin e politikës dhe gjeopolitikës së tij. Gjatë viteve, Franca ka shpërfaqur qëndrime diplomatike ndaj zhvillimeve gjeopolitike qoftë në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, qoftë në rastin e Irakut, qoftë në rastin e krizës së Rusisë me shtete të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik, e në mënyrë të veçantë në çështjen ukrainase, por edhe në rastin e Sirisë.

Në fakt, Franca ka djekur politika më të qarta që janë në kundërshtim me frymën thelbësore të BE-së, duke mbështetur politika të veçuara edhe në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, por edhe në çështjen e lirisë së lëvizjes. Në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Franca nëpërmjet rreshtave dhe nëpërmjet formave të ndryshme është munduar të legalizojë qëndrime klienteliste, kundërdemokratike dhe pse jo edhe kundërnjerëzore. Kjo është vërejtur në rastin e presidentit François Miterand, i cili ishte angazhuar për Serbinë si xhandar i Ballkanit, edhe me kushtin që të zhduket ndonjë popull tjetër, konkretisht të boshnjakëve të Bosnjës. Edhe në rastin e Kosovës, Franca tashmë është dëshmuar se ka kontribuar në dekonspirimin dhe sabotimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në Kosocë, në ndarjen e veriut etj. Në rastin e Irakut, Franca kishte refuzuar të përfshihej në angazhimet për rrëzimin e Sadam Hysenit, kurse në Siri, përveç tjerash, kishte ndjekur politika kundërmigracion. Në raport me aneksimin e Krimesë dhe në përgjithësi në çështjen ukrainase, Franca kishte ndikuar në një qëndrim të zbehtë dhe të dobët të BE-së, edhe për shkak të synimeve për marrëdhënie konktraktuale dhe të privilegjuara me Rusinë në aspektin ekonomik, por edhe në atë gjeopolitik.

Skepticizmi i presidentit Macron për integrimin e Ballkanit në BE është shpërfaqje e rritjes së frymës ultranacionaliste në Francë, e që u pat shpërfaqur me fuqizimin e ekstremit të djathtë në krye me ish-kandidaten për presidente, Lë Pen. Në Francë, duket se është rritur refuzimi ndaj multikulturalizmit, dhe të ksenofobisë, sidomos pas rastit të eksodit sirian. Franca mund të shqetësohet për mundësinë që hapja e plotë e BE-së ndaj Ballkanit mund të rrisë pushtimin e bardhë, përkatësisht rritjen e dyndjes së ballkanasve drejt BE-së.

Në fakt, thënia e presidentit Macron se sa herë që është BE është zgjeruar apo ka diksutuar për zgjeimin, është dobësuar, shpërfaq më hapur se kurrë gjendjen  që është brnda vetë BE-së! Pse kjo frikë nga zgjerimi? Pse zgjerimi i BE-së e ka dobësuar atë? A është penduar BE për procesin e integrimit evropian të shteteve kryeisisht ish-komuniste dhe të dala nga ish-Jugosllavia dhe nga ish-Bashkimi Sovjetik?

Procesi i integrimit të këtyre shteteve në BE ka qenë procesi më i gjerë dhe më i rëndësishëm i tij, jo vetëm në aspektin e strukturës së saj, në kuptimin e shtimit të numrit të shteteve anëtare, por edhe në aspektin frymës së saj fillestare, si një bashkim i tegtisë së lirë, si një bashkësi politike dhe gjeopolitike.

Me zgjerimin, BE u bë një nga organizmat ndërkombëtarë më të fuqishëm me synime të ndryshme për një rivalitet edhe me SHBA-të dhe me Rusinë, por që në raport me këto të fundit nuk ka mundur çdo herë të ketë një politikëbërje unike për shkak të heterogjenitetit të anëtarëve të tij, për shkak se ende BE është një bashkësi shtetesh me sovranitet të fuqishëm dhe me një funksionalitet të dobët në Bruksel.

Këtë e ka theksuar edhe më shumë vetë zgjerimi, pasi që shtetet e reja në BE kanë bartur edhe pozitën e tyre gjeopolitike, kanë keqpërdorë të qenit anëtarë në raport me shtetet tjera që aspirojnë të anëtarësohen, por edhe kanë vështirësuar vendim-marrjen në Bruksel. Prandaj është përmendur shpesh mundësia e ristrukturimit të BE-së edhe në aspektin rivalorizimit të votës së anëtarëve të tij në bazë të fuqisë së tyre dhe të kohës së anëtarësimit.

Gjermania, e cila edhe para BREXIT-it, edhe pas tij ka pasur një rol të rëndësishëm dhe një rol për krijimin e konsensuseve ndërmjet anëtarëve të BE-së, duke u munduar kështu të shpëtojë vendim-marrjen në Bruksel nga mundësia e bllokimit. Edhe në raport me krizat tjera, edhe në atë në raport me Ballkanin, Gjermania është munduar që të zbusë shqetësimet e shteteve anëtare nga problemet që dilnin nga zgjerimi, edhe të mbante më këmbë persepktivën europiane të shteteve ballkanike.

Disonanca në qëndrime  ndërmjet presidentit Macron dhe kancelares Merkel, megjithatë duhet kuptuar në këtë kontekst: nëse Franca ka një qëndrim skeptik, për të mos thënë refuzues ndaj anëtarësimit të shteteve ballkanike, Gjermania qëndron ndërmjet këtij qëndrimi dhe synimit të shteteve mëtuese për anëtarësim në BE.

Gjermania, në fakt, vazhdimisht është munduar të bashkërendojë politikat me Francën, duke synuar kështu që të bëjë vendim-marrjen më të fuqishme dhe më të plotë, edhe për shkak të fuqisë së Francës si shtet, edhe për shkak të faktit historik se BE ishte rezultat i përpjekjeve gjermano-franceze për të lënë anash rivalitetet historike dhe për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive, bashkëpunim të fuqishëm ekonomik dhe për zhvillimin ekonomik të Evropës edhe në kontekst të marrëdhënieve ekonomike të komanduar në shtetet e ish-bllokut komunist në krye me BRSS-në, edhe në kontekst të aspiratave franceze ndaj shteteve të dala nga ish-Jugosllavia dhe nga ish-Bashkimi Sovjetik, ku shquhet aleanca historike me Serbinë, edhe për të zbutur qëndrimin refuzues të Serbisë ndaj Gjermanisë edhe për shkak të Luftës së Dytë Botërore.

Ndonëse të gjitha këto çështje kërkojnë një elaborim veç e veç dhe shterues, megjithatë duhet thënë se këto dhe çështje dhe jo vetëm, në vazhdimësi kanë ndjekë si hije edhe procesin e zgjerimit të BE-së, sidomos atë që lidhet me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, e që në samitin e Sofjes u shpërfaqën pikërisht me refuzimin e kryeministrit spanjoll, Rahoj që të merrte pjesë në samit për shkak të Kosovës, me skepticizmin e presidentit Macron për zgjerimin me arsyetimin se sa herë që BE ështlë zgjeruar, është dobësuar, dhe me qëndrimin shpresëdhënës të Gjermanisë, përkatësisht kancelares Merkel për perspektivën integruese të vendeve të Ballkanit.

Nëse në samitin e Selanikut ishin dhënë me bollëk premtime dhe shpresa për integrimin e shteteve ballkanike në BE, në samitin e Sofjes ka një rënie të madhe të këtyre premtimeve dhe shpresave, e të cilat gjithsesi lidhen edhe me gjendjen e BE-së, por edhe në një bilanc të këtij procesi ndërmjet dy samiteve, në vështirësitë që kanë shtetet ballkanike për të adoptuar politika të ngjashme me të Brukselit, si dhe në interesa të ndryshme të shteteve të ndryshme të BE-së në rajonin tonë.

Fakti që rëndësi e madhe iu dha normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mundësia e rritjes së tensioneve në rajon, edhe për shkak të interesave të ndryshme edhe të shteteve anëtare të BE-së dhe të pozitës gjeopolitike të rajonit edhe në kontekstin gjeopolitik botëror e që prekin qoftë interesa të shteteve të veçanta, edhe parimet thelbësore të vetë BE-së, por edhe që e do të përbrendësonte në BE këtë pozitë gjeopolitike të rajonit tonë në BE, dëshmojnë se BE dhe shtetet anëtare të tij kanë në sprovë veten dhe interesat e tyre që nuk janë gjithsesi në përputhje me filozofinë e zgjerimit me shtetet e Ballkanit.