Samiti i Zagrebit, Shasha: Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendë

06.05.2020 12:16:51

27 shtete të Bashkimit Evropian dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë sot pjesë e Samitit të Zagrebit i cili do të zhvillohet në formën e video-konferencës.

Lidhur me çështjet që do të trajtojë ky Samit, Demush Shasha nga instituti “EPIK” në një intervistë për “Përballje ditore” me kryeredaktorin Muhahmet Hajrullahu, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendë, ani pse ky Samit është përmendur si mundësi për liberalizim të vizave.

“Ne kemi parë që nga fillimi i këtij viti një narracion të disa politikanëve që e kanë përmendur si mundësi që gjatë Samitit të Zagrebit të ketë një zhvillim përkitazi me liberalizimin e vizave. Kjo ka qenë një pritje e pabazuar dhe rrjedhimisht sot nuk do të ketë asnjë diskutim e lëre më ndonjë vendim. Sot liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të jetë fare në agjendë të Samitit”, ka thënë Shasha.

Shasha ka shtuar se Kosova nga ky Samit do të marrë dy mesazhe, njëri prej të cilëve është përafrimi i Spanjës me qëndrimet e pjesës dërmuese të Bashkimit Evropian sa i përket pavarësisë së Kosovës.

“Arsyeja pse Spanja e ka ndërmarr këtë hapë për të marrë pjesë në Samitin e Zagrebit kanë të bëjnë më shumë arsye diplomatike. Efektet e qëndrimit të Spanjës do t’i shohim gjatë muajve në vazhdim”, ka thënë Shasha.

Demush Shasha nga Instituti “EPIK”  ka treguar se Samiti i Zagrebit ka një simbolikë jashtëzakonisht të rëndësishme historike dhe politike pasi që samiti i sotëm ndodh 20 vite që nga Samiti i Zagrebit që u zhvillua në vitin 2000, i cili ankoroi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor në BE.

Shasha theksoi se Samiti do të ketë kryesisht katër mesazhe për Ballkanin Perëndimor si tërësi dhe dy mesazhe për Kosovën.

“Mesazhi i parë do të jetë që Bashkimi Evropian përkundër sfidave që ballafaqohet ka vëmendje dhe ka interes dhe vullnet politik që të afrojë Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian. I dyti do të jetë sa i përket pandemisë COVID-19, në këtë drejtim BE-ja dhe liderët do të konfirmojnë që BE është dëshmuar partner kryesor i vendeve të Ballkanit rreth pandemisë ku ka ndarë një shumë në vlerë prej 3.3 miliardë euro. Mesazhi i tretë për të gjitha vendet e Ballkanit do të jetë ai i situatës pas pandemisë COVID-19, ku është paraprë të hartohet një plan investiv për rimëkëmbjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Mesazhi i fundit për Ballkanin si tersi do të jetë mesazh që përkundër këtyre zhvillimeve të pandemisë, vëmendja politike duhet të kthehet në reformat evropiane, ku një theks të veçantë do t’i kushtohet “Agjendës së gjelbër”të Bashkimit Evropian”, u shpreh Shasha.

Samiti i Zagrebit do të fillojë sot në orën 16:30, ndërkaq Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi