Sasitë e vogla të verës se kuqe janë të mira për trurin

Sasitë e vogla të verës se kuqe janë të mira për trurin

25.02.2018 10:37:26

Përderisa disa gota verë mund të ndihmojnë në qetësimin e mendjes pas një dite të ngarkuar, hulumtimet e reja tregojnë se ato gjithashtu mund të ndihmojnë edhe në ‘pastrimin’ e mendjes. Pra ky studim i ri tregon se sasitë e vogla të konsumimit të alkoolit mund ta zvogëlojnë inflamacionin dhe ta ndihmojnë trurin të pastrohet nga toksinat, duke i përfshirë ato toksina që ndërlidhen me sëmundjen e Alzheimerit.

“Konsumimi i madh dhe i gjatë i sasive të tepërta të etanolit njihet për efektet e dëmshme që i shkakton në sistemin nervor qendror”, thotë Maiken Nedergaard, autor i studimit.

Sidoqoftë, në studimin e tyre, është dëshmuar se dozat e vogla të alkoolit janë potencialisht të mira për shëndetin e trurit, sepse e përmirësojnë aftësinë e trurit për t’i larguar toksinat.

Ky zbulim i konfirmon edhe studimet e mëhershme të cilat gjithashtu kanë treguar për përfitimet shëndetësore të dozave të vogla të alkoolit.

Pra, përderisa konsumimi i tepërt i alkoolit dihet mirë se është i dëmshëm për shëndetin, shumë studime i kanë ndërlidhur sasitë e vogla të alkoolit me rrezik më të vogël të sëmundjeve kardiovaskulare dhe numrit të rasteve me kancer.

Shkencëtarët kishin kryer eksperimente me minj, ndërsa rezultatet kanë treguar se kafshët të cilat kishin konsumuar sasi të vogla të alkoolit, rreth dy pije e gjysmë në ditë, faktikisht kishin pasur më pak inflamacion në tru, ndërsa sistemi i tyre glimfatik kishte qenë më efiçient në lëvizjen e CFS-së përgjatë trurit dhe largimin e toksinave, krahasuar me minjtë të cilët nuk kishin konsumuar alkool.