Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thotë se të gjithë po ndihemi keq për arsye të rezultateve të PISA-s, andaj ka kërkuar mobilizim të përbashkët.
Sipas SBASHK-ut, gjendja nuk ndryshohet me “shpëtimtar” e me vajtore.
“Rezultate jo të mira në PISA kanë pasur edhe shtete me traditë e shumë të fuqishme ekonomikisht. Edhe Gjermania nuk kishte dalë mirë dikur në PISA , por ata nuk humben kohë duke lotuar e duke sharë. U mobilizuan atje të gjithë dhe arritjet u shtuan”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut. Kjo sindikatë thotë se hedhja e fajit të mësdimëdhënsve të Kosovës është e papranueshme, pasiqë këta të fundit kanë bërë të pamundurën për procesin arsimor.
“Ju kujtoj gjithë atyre “shpëtimtarëve” dhe vajtoreve se mësimdhënësit tanë kanë bërë gjithë të mundurën. U pajtuan me reformat dhe u munduan t’i vënë në jetë. U pajtuan të dërgoheshin në ngritje profesionale pa shkëputje nga puna , u pajtuan të shkojnë në trajnime e trajnime. Të tjerët vendosnin pa i pyetur mësimdhënësit për reformat, trajnimet dhe për eksperimente e eksperimente me klasat e 13-ta , me klasat e pesta e të nënta dhe me nguti të tjera. As për këto nuk duhet humbur kohë tani për të gjetur fajtorin , por duhet mësuar nga pësimet dhe duhet menduar të gjithë bashkë çka tani e tutje”, thekson tutje SBASHK.
Sipas tyre të gjithë mësimdhënësit e Kosovës janë ndier keq me rezultatet e PISA dhe janë të gatshëm të marrin pjesën e vetë të barrës për të përmirësuar gjendjen, por nëse mbesin vetëm në këto angazhime atëherë nuk ka si të priten ndryshime të mëdha pozitive.
“SBASHK-u ka bërë angazhime konkrete për ngritjen e cilësisë në bashkëpunim me GIZ dhe do të vazhdojë me këto angazhime, por do të reagojë vazhdimisht ndaj tendencave të individëve a ndonjë institucioni për ta nënçmuar mësimdhënësin e për ta shpallur fajtor kujdestar atë. Mësimdhënësit nuk meritojnë nënçmime, e vënie në pikëpyetje të dijes e përkushtimit të tyre po meritojnë përkrahje nga të gjithë nëse vërtetë duam arritje të lakmueshme në arsim”, thuhet në fund të reagimit.