Seanca e Kuvendit për dëbimin e shtetasve turq, në orën 14:00

04.04.2018 11:03:54

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, LDK-ja ka kërkuar që të mbahet seancë e jashtëzakonshme për në orën 14:00 lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Nënkryetar i Kuvendit, Xhavit Haliti, tha se me kërkesë të 40 deputetëve të nënshkruar për seancë të jashtëzakonshme, Kryesia ka vendosur që seanca për dëbimin e gjashtë shtetasve turq të fillojë në ora 14:00.

“E kemi obligim sipas Kushtetutës që ta mbajmë këtë debat në Kuvend”, ka thënë Haliti.

Ndërkaq, shtetasit turq u dëbuan nga Kosova të enjten e kaluar (28 mars).

Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë deportuar në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Pas këtij rasti, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.