Seanca e sotme e Kuvendit si seancë parapërgatitore për procese të tjera gjyqësore dhe për Gjykatën speciale

27.10.2016 17:41:11

Nga Rexhep Kastrati

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që u mbajt dje, Kadri Veseli seancën e caktuar për sot e quajti seancë ku do të diskutohet për vlerat e luftës. Mënyra se si e tha, shprehte një lloj tipi babaxhan që thua ti kushedi se çka thoshte. Mirëpo, nuk u desh më shumë sesa paradita e sotme që të kuptohej se kjo seancë nuk ishte seancë për vlerat e luftës, po për kundërvlerat e individëve dhe të strukturave ku kanë bërë, apo ku bëjnë pjesë ata. Shokët e djeshëm, apo edhe të sotëm, në vend se të flisnin për vlera të luftës, më shumë folën për të zezat e njëri-tjetrit, dhe ato që Ganja kishte thënë disa muaj më parë, mund të duken tepër pak, ngaqë u tha në seancën e sotme. Sot shokët e djeshëm shpallën tradhtarë, të tjerë ua kujtuan të tjerëve thirrjet për të arrestuar dhe burgosur komandantë të UÇK-së. Pra, shokët dhe ish-shokët e djeshëm, pra pjesëtarë të linjës së Tiranës/Kretës, nuk bënë gjë tjetër pos që shpërfaqën veçori negative, poshtërsira dhe turpe të njëri-tjetrit, duke bërë të qartë se këta asgjë nuk kanë të pëtbashkët me vlerat e luftës çlirimtare.

Dhe edhe kësaj radhe, ishte LDK, ajo që mbrojti verat e luftës, që bindshëm dhe me argumente u vu hapur kundër tendencave për barazimin e luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, me krimet gjenocidale të Serbisë. Dhe LDK edhe njëherë, sikurse presidenti Rugova në Gjykatën e Hagës u vu në mbrojtje të sakrificës kolektive të shqiptarëve, luftës çlirimtare dhe këtë e bëri me dinjitet dhe qasje serioze. Dhe është pikërisht kjo LDK që u sha, u fye, u ofendua, u krëcënua, u plagos, u vra, pikërisht nga ata që kishin uzurpuar, sikurse shumë rpna të tjera, edhe pronësinë mbi UÇK-snë dhe luftën çlirimtare. Dhe është e vërtetë se lufta çlirimtare duhet të mbrohet sa nga tendencat për ta barazuar me krimet gjenocidale serbe, sa nga ata që po ia nxjerrin faqen e zezë njëri-tjetrit, që kanë bërë dhe ndoshta vazhdojnë t’u bëjnë dosje njëri-tjetrit. Nisma e Fatmir Limajt kërkoi që të shpallet tradhtar Hashim Thaçi, dhe sikur harron se Fatmir Limaj ishte kurbani i parë që u bë për ta bërë Thaçin kryeministër. Në anën tjetër, Fisnik Ismajli e akuzoi Shaip Mujën për transplant organesh, njësoj sikurse Dick Marthy. Me fjalë të tjera, seanca e sotme jo që fare nuk po bën fjalë për vlerat e luftës, por po del se është një seancë parapërgatitore për procese të tjera gjyqësore, madje edhe për vetë Gjykatën speciale.