Sejdiu: Ligji për Trepçën u bë për privatizim e dialog

08.10.2016 16:14:23

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, në një konferencë për media u shpreh se ligji për Trepçën nuk është ligj për sovranizim dhe zhvillim. Përkundrazi, sipas tij, është mënyra më e ligë, më perfide e kontrabandimit të një ligji për asetin kryesor nacional të vendit.

“Megjithëse ligji u është dhënë deputetëve vetëm dy ditë para seancës për trajtimin e tij, ne e kemi lexuar ligjin dhe kemi propozuar amandamente për këtë sepse e kuptuam që ligji nuk e trajton Trepçën si aset nacional për zhvillim, por si plaçkën e radhës së Qeverisë e cila për 16 vite e ka deindustrializuar Kosovën, e ka shkatërruar ekonominë dhe ka sjellë papunësinë më të madhe në Evropë”, tha Sejdiu në fjalën e tij.

Ai tha se “Qeveria me këtë ligj na ka sjellë në situatë ku në secilin nen të këtij ligji sigurohet që privatizimi të bëhet heshturazi, Trepça të shthuret dhe të shitet njësi për njësi biznesore, pra të privatizohet”.

“Ata kanë refuzuar ta trajtojnë Trepçën si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës”, tha sejdiu.

“Mbrëmë në Kuvend është parë zell i paparë për privatizim të pasurisë dhe më përkushtim të hatashëm që të vazhdohet me këto politika, të cilat që 16 vite që e kanë deindustrializur dhe shkatërruar ekonominë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sejdiu.

“Muhamet Mustafa, Isa Mustafa dhe ekipi i tij në fakt ka bërë atë që janë duke e bërë Kosovë saktë që nga viti 2001, në mungesë idesh për zhvillim, ata shesin, në proces pasurohen për vete, derisa qytetarët varfërohen. Sot Republika e Kosovës një ditë pas këtij votimi ka rrezik të mbetet pa një prej sektorët kryesorë që siguron zhvillim dhe sovranitet për Republikën e Kosovës”, tha Sejdiu.