Sejdiu: Po arrestohemi me urdhra politikë

09.08.2016 15:45:10

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se deputetët e Vetëvendosjes po arrestohen me urdhra politikë të dhënë nga Qeveria, që sipas tij, është e kriminalizuar dhe e korruptuar.

Sejdiu këto komente i ka bërë pas arrestimit të deputetit të Vetëvendosjes, Driton Çaushi, i cili paraprakisht hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për politikë të jashtme.

“Këto urdhra të përndjekjes politike për Vetëvendosjen po zbatohen në kohën e lulëzimit të krimit dhe korrupsionit nga Qeveria. Organet e Drejtësisë kanë shumë punë për të bërë. Ata do të duhej të hetonin vetë Komisionin e Murat Mehës që e ka propozuar këtë marrëveshje, aferën ‘Pronto’, ‘dosjen e shefave’, skandalin e pasaportave e shumë skandale të tjera”, ka shkruar Sejdiu.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit Driton Çaushi. Po ashtu, e paralajmërojmë qeverinë kuislinge që nuk mund të vazhdojë me kalimin e kësaj marrëveshjeje. Kosova nuk ka tokë për të falur, kurse veprimet e tyre nuk mund të na ndalin e as frikësojnë në mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të Republikës”.