Sekuestrohen 77 kg kanabis në një banesë në Vlorë, arrestohen 4 persona

06.05.2017 09:38:01

Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “RETURN” në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi prej 77 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa në një banesë dhe janë arrestuar në flagrancë 4 persona.

Burime nga policia lokale bëjnë me dije se janë vënë në  pranga 4 personat e mëposhtëm:

1- S. B., 39 vjeç, banues në fshatin Fitore, Novoselë.
2- D. B., 33 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë.
3- M. K., 27 vjeç, banues në fshatin Penkovë, Vlorë.
4- Xh. Sh., 22 vjeç, banues në fshatin Fitore, Novoselë.

“Më datë 05.05.2017, pas një pune hetimore disa ditore, Policia e Vlorës ka bërë të mundur realizimin e këtij operacioni mbi bazën e të cilit u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike dhe u kapën në flagrancë bashkëpunëtorët e këtij aktiviteti kriminal.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. B. në fshatin Fitore të Novoselës, shërbimet kanë gjetur dhe sekuestruar 6 thasë pastikë të zinj të mbushura me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, ku pas peshimit ka rezultuar me peshë totale prej 77 kilogramë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe shtetasit D. B., M. K. dhe Xh. Sh., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur fshehjen dhe strehimin e lëndës narkotike në banesën në fjalë me qëllim shitjen e saj në treg”, bën me dije policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të këtyre shtetasve për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim.