Sela: Do t’i ndalim lotët e nënave shqiptare

20.11.2016 19:57:38

Sot koalicioni ”Aleanca për Shqiptarët” e ka filluar edhe zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni.

Konventa promovuese e ”Aleancës për Shqiptarët” për kandidatët për deputet mbahet tani në sallën e sporteve në Gostivar.

Para Ziadin Selës, në skenë u ngjitën dhe folën, edhe bartësit e listave të njësive tjera zgjedhore: Surja Rushiti, Vesel Memedi, Arben Taravari, Zulfi Adili, Nexhbedin Sadiku, Arta Toçi, Gëzim Ostreni dhe Vesel Memedi.

Sela mbështetësve të ”Aleancës për Shqiptarët” ju tha ”Këtu jemi ”Aleanca për Shqiptarët” dhe jemi të bashkuar e jo të përçarë. Në asnjë moment nuk do të tërhiqemi nga shteti binacional. Pse dikush tjetër ta bëj gjuhën shqipe kur mund ta bëjmë vet ne. ”Aleanca për Shqiptarët” zotohet se do të inicoj ndryshime kushtetuese në të mirë të shqiptarëve. Ne do të bëjmë ndarje të buxhetit me prerje lokale ku komunat vetë do të rregullojnë buxhetin e vet. Shteti i së drejtës ku Prokuroria Speciale do të rregullohet me Kushtetutë. Ne do t’i nxjerrim nga burgu ata që u futën me procese të montuara dhe do t’i fusim ata që i montuan këto procese. Ne jemi njësoj si ju. Ju duhet që prej këtij momenti që të jeni të bindur se ne do të fitojmë. Pas 11 dhjetorit, do të ndalim lotët e nënave shqiptare. Do ta sjellim lirinë, me votë dhe vullnet. Kemi shumë punë për të bërë. Vllezër dhe motra nga diaspora, hajdeni. Më 11 dhjetor duhet të vini këtu për të votuar. Dilni dhe votoni Aleancën për Shqiptarët për t’i hequr këta që i patëm deri tani. Shqiptarët dinë të votojnë për të ardhmen.” tha Ziadin Sela.