Selimi: Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një rol kyç në rrugëtimin e reformimit të sistemit të drejtësisë

30.06.2020 14:39:41

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, sot kanë zhvilluar një takim konstruktiv në të cilin u diskutua për situatën aktuale në sistemin gjyqësor, procesin e reformimit dhe funksionimit efektiv të këtij sistemi të drejtësisë.

Ministri Selimi duke folur për rëndësinë që kanë institucionet e drejtësisë dhe rolin e tyre, theksoi se forcimi i pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies së prokurorëve dhe gjyqtarëve, forcon njëherë edhe përgjegjësinë dhe performancës e tyre në ushtrimin e detyrës.

“Si ministër i drejtësisë, ju garantoj mbështetjen time në fuqizimin e të gjitha niveleve të gjykatave, pavarësimin e tyre, duke u siguruar për profesionalizëm të lartë, integritet dhe angazhimin e sa më shumë kapaciteteve profesionale të fushës” tha Selimi.

Gjatë takimit, po ashtu është diskutuar për themelimin e Gjykatës Komerciale si dhe për rritjen e kapaciteteve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me ç’rast ministri Selimi tha se zgjidhja e rasteve në këtë departament do t’i ipte impuls të madh ekonomik Kosovës.

Në anën tjetër, kryesuesi Çoçaj, ka falënderuar ministrin për bashkëpunimin e ofruar dhe njëherit e ka siguruar se mbeten të përkushtuar në avancimin e mëtejmë të agjendës për funksionimin e sundimit të ligjit në Kosovë.