Selimi: Luftërat nuk kanë përfunduar, derisa Serbia e ka Kosovën në Kushtetutë

28.09.2016 22:16:29

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga subjektet politike në vend t’i lënë paranojat e tyre, duke kërkuar prej tyre t’i matin forcat në zgjedhje.  Selimi tha se Kurti ka pasur të drejtë lidhur me mundësinë e luftës së re në Kosovë, “ngase Serbia ende na ka në Kushtetutë ”.

Ai ka folur edhe për kishën në kampusin e UP-së, duke thënë se ai objekt nuk mund të respektohet si kishë, por si përmendore e krimit të Millosheviqit, Sheshelit e Arkanit.

“Ky objekt është pa leje dhe nuk duhet të legalizohet”, tha Selimi në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum.

Selimi ka thënë se edhe kisha, por edhe objekti banesor në Prishtinë janë të ndërlidhura me një fenomen, që përmes tij po mundohet me çdo kusht të rrënohet pushteti i VV-së në Prishtinë.

Ndërsa, për deklaratat e Albinit, i cili ka thënë se mund të ketë luftë në 5 vitet e ardhshme, Selimi tha se Kurti ka pasur të drejtë, “ngase nesër mundet me u kthye Serbia në Kosovë”.

“Nuk mund të themi që në Kosovë kanë përfunduar luftërat, përderisa Serbia ende na ka në Kushtetutë dhe përgatit ushtarët për rikthim në Kosovë”, tha Selimi.