Selmanaj: Nëse nuk do të kishte prezencë ndërkombëtare, në Kosovë do të kishte edhe më shumë vrasje politike

21.12.2017 23:18:08

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se deklaratat e mbrëmshme të anëtarit të kryesisë së (OVL- UÇK), Nesim Haradinaj, që kishte deklaruar se “punë e madhe”, që janë vrarë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është shpërfaqje e asaj që ata mendojnë në të vërtetë.

Ai në emisionin “Debat D Plus”, ka thënë se që nga viti 1998, njerëzit që i kanë përfaqësuar organizatat e dala nga lufta, vazhdimisht kanë zhvilluar një diskurs të tillë ndaj LDK-së.

“Për fatin e mirë, prezenca e madhe ndërkombëtare në Kosovë, i ka ndaluar që në vend të ketë shumë më shumë skenare të tilla. Kjo ngjarje, sikur ma kujton periudhën e Luftës së Dytë botërore,  kur partizanët punën e parë që e  bënin, likuidonin shqiptarët që i konsideronin tradhtar. Nëse nuk do të kishte prezencë të tillë ndërkombëtare, edhe shumë aktivistë të LDK-së, do ta kishin të njëjtin fat tragjik”, ka shtuar  Selmanaj. /Telegrafi/