Selmanaj thotë se konsolidimi i Kosovës dhe fuqizimi ndërkombëtar bëhet vetëm përmes LDK-së

29.01.2018 22:17:24

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka vlerësuar partinë e tij si të duhurën për konsolidimin e shtetit të Kosovës si dhe fuqizimin e saj në rrafshin ndërkombëtar.

Selmanaj tha se LDK-ja tashmë ka një energji më të madhe brenda kësaj partie dhe strukturave të saj.

“Mënyra si po sillen sot politikanët, veçanërisht në raport me ata që na ndihmuan të ndërtojmë shtetin, është për të ardhur keq”, tha Selmanaj.

“Prandaj për LDK-në kosovocentrizmi është alfa dhe omega. Vetëm LDK-në e kam parë si zgjidhje për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe fuqizimin e saj ndërkombëtarisht” deklaroi Selmanaj, në një intervistë në Zona B në Klan Kosova.

Sa i përket gjeneratës së vjetër të LDK-së, Selmanaj ka thënë që është vlerë sublime e kësaj partie, përderisa vlerësoi që është në rrugë të drejtë të integrimit të gjeneratës së re.

“Vlera më e madhe e LDK-se është që është në rrugë të mirë për t’i bërë vend të gjitha gjeneratave, të kapitalizmit të tyre si një vlerë e përbashkët”

“Kjo gjeneratë që jemi bërë tash pjesë e politikës, po konsideroj që jemi një vlerë e shtuar”, u shpreh Driton Selmanaj.