Serbët e Kosovës i mbesin besnik Beogradit, por marrin para edhe nga Prishtina

16.09.2018 15:11:40

Prishtina dhe Beogradi paralelisht ndajnë miliona euro për katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovica e veriut.

Por, këto mjete, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësuesve të organizatave joqeveritare serbe, nuk dihet se ku dhe për çfarë shpenzohen.

Pjesa veriore e Kosovës, që nga paslufta ka funksionuar mbi bazën e një sistemi paralel të organizuar nga Beogradi.

Në kuadër të dialogut të Brukselit, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje për integrimin e kësaj pjese në kuadër të sistemit ligjor-kushtetues të Kosovës, ku investimet përbënin një element të rëndësishëm, krahas zgjedhjeve të lira, por që e ky proces integrues mbetet i papërfunduar.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këto 20 vitet e fundit nuk ka asnjë informacion se si janë shpenzuar qindra miliona euro taksa të qytetarëve të Kosovës, donacionet nga ndërkombëtarët, por edhe fondet që Qeveria e Serbisë jep për të penguar integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

“Nëse marrim parasysh të gjitha investimet që deklarohen nga Qeveria e Serbisë dhe ato që shkojnë nga Qeveria e Kosovës për veriun e vendit sikur ato të ishin shkuar në projekte zhvillimore atëherë veriu i vendit do të lulëzonte”.

“Në fakt duke mos pasur një integrim për komunitet serb në Institucionet e Kosovës dhe pamundësia që të shtrijnë autoritetin atje si auditorët dhe institucionet e drejtësisë ka mundësuar që atje të bëhet keqpërdorim i madh i mjeteve buxhetore të Kosovës dhe nuk duhet përjashtuar mundësinë se atje lulëzon edhe keqpërdorimi i mjeteve që vinë nga Qeveria e Serbisë”, thotë Gashi.

Ai shton se pjesa dërmuese e këtyre mjeteve që investohen nga buxheti i Kosovës dhe ai i Serbisë, shkojnë në grupe të cilat nuk përfillin asnjë ligj të Kosovës.

Kjo mosllogaridhënie përmjetet e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që ndahen për veriun, sipas Gashit, duhet të ndërpritet.

“Shtrirja e rendit dhe ligjit në çdo pjesë të Kosovës është imediate dhe shpenzimi i mjeteve buxhetore pa ndonjë kontroll dhe pa raporte të detajuar financiare nuk duhet të ndodh për arsye se çdo euro taksë e shpenzuar e qytetarëve duhet të ketë llogaridhënie për çka janë investuar, cilat procedura të prokurimit janë ndjekur dhe cili ka qenë rezultati i tyre”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, Nenad Maksimoviq nga Qendra për paqe dhe tolerancë në Graçanicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është vështirë për të bërë një vlerësim objektiv të ndikimit të të gjitha financimeve që janë bërë në veri.

“Nuk kemi ndonjë raport të Komisionit për anketim të Republikës së Serbisë për financimin e të gjitha aktiviteteve nga ana e Serbisë në gjithë territorin e Kosovës. Në anën tjetër, Fondi për veriun, me të cilin mblidhen taksat doganore nga vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, punojnë me kapacitete të kufizuara dhe deri më tash janë zbatuar vetëm disa projekte infrastrukturore. Mbase mund të shohim përparim të dukshëm të projekteve infrastrukturore, por që deri më tash nuk kanë ndikuar në mënyrë të rëndësishme në jetën e popullatës.”.

“Do të thotë, edhe më tutje, të gjitha financimet nga institucionet qendrore po mbahen në njëfarë mënyre sekrete dhe qytetarët nuk e dinë në masë të madhe se në çfarë mënyre janë shpenzuar ato fonde”, tha Maksimoviq.

Ai ka shprehur mendimin që, megjithatë, ata që është dashur të jenë shfrytëzues të këtyre fondeve nuk kanë parë rezultate konkrete.

Ndryshe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ditë më parë ka njoftuar se është përgatitur plani i investimeve të projekteve në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë. Investimet e Serbisë në këto komuna të banuara më shumicë serbe arrijnë shumën e rreth 200 milionë euro.

“Investimet më të mëdha do të bëhen për të punësuarit në arsim e në shëndetësi (71 milionë euro), për vendbanimin “Lugina e Diellit” (25 milionë euro), për “Trepçën” (13 milionë euro), për Qendrën Spitalore (10 milionë euro), për ujësjellësin (6 milionë euro)”, thuhet në një njoftim të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Për më shumë investime në komunat në veri të Kosovës, në vitin 2013 në bazë të marrëveshjes së përkohshme për doganat, të arritur në dialogun Kosovë – Serbi, ishte krijuar edhe Fondi i Mirëbesimit.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga Zyra për informim e Ministrisë së Financave, totali i mjeteve të transferuara nga viti 2013 deri tani nga llogaria e Buxhetit të Kosovës në llogarinë për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimitështë mbi 15 milionë euro, prej të cilave në vitin 2018 (1 janar – 7 Shtator) janë transferuar mbi 1.2 milionë euro.