Serbët në veri ende nuk i paguajnë faturat e rrymës, KMDLNJ thërret për protesta

10.07.2019 14:53:12

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për media, ka rikujtuar se për më shumë se 17 vjet, qytetarët e Kosovës kanë paguar shpenzimet e energjisë elektrike për serbët e veriut.

KMDLNJ ka rikujtuar edhe premtimin e Qeverisë se këta qytetarë, 93 % e të cilëve janë shqiptarë do të kompensohen, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

KMDLNJ thotë se edhe tani, serbët refuzojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe kjo dëmton buxhetin e Kosovës për 12 milionë euro në vit.

“Pas reagimeve të shumta të qytetarëve të plaçkitur , të KMDLNJ –së dhe të Avokatit të Popullit , Gjykata e Apelit mori vendim që të ndërpritet kjo lloj abuzimi dhe hajnie institucionale ndërkaq qeveria e Kosovës premtoi se do të kompensohen qytetarët e dëmtuar për më shumë se 17 vite e që deri më tani nuk janë kompensuar. Serbët e veriut të Kosovës edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbime tjera ndonëse buxheti i Kosovës dëmtohet për më shumë se 12 milionë euro në vit. Shteti i Kosovës nuk vepron në veri në ndërkohë që edhe për borxhin më të vogël të faturës për rrymë të shpenzuar , KEDS-i përmes përmbaruesve ua bllokon llogaritë bankare edhe kategorive sociale”, thuhet në njoftimin e  KMDLNJ.

Po ashtu KMDLNJ shton se ligjet e Kosovës si dhe Kushtetuta e saj garantojnë barazi dhe trajtim jodiskriminues për të gjithë qytetarët e saj e që në rastin konkret diskriminimi është aq flagrant e që nuk ndodhë në asnjë vend të botës.

“Për shpenzimet e bëra duhet të vlejnë standardet e njëjta , atë që shpenzoni , duhet edhe të paguani pa bërë dallime në baza etnike , fetare , gjinore , moshore , racore , bindjeve politike etj. Pse shqiptarët dhe joserbët duhet të paguajnë ndërsa serbët nuk paguajnë kurrë dhe asgjë në ndërkohë që ndaj tyre nuk vlen orari i reduktimeve ?!”.

Ky këshill u ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë për të kundërshtuar këtë diskriminim.

“Qytetarët e Kosovës , në mënyrë të organizuar duhet të kundërshtojnë këtë diskriminim dhe vendosje të standardeve të dyfishta duke protestuar dhe duke kërkuar trajtim të barabartë. Institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë shtet dhe se nuk pranojnë që serbët të sillen në këtë mënyrë. Ndryshe , eskalimi i situatës në Kosovë , fillimisht i natyrës sociale duhet dhe do të jetë i pashmangshëm e që pastaj do të përcillet me destabilizim politik dhe situatës së sigurisë”, thuhet njoftim.