Serbët nuk e duartrokitën në Beograd/ Flet Izmir Smajlaj: Kisha konkurrencë shumë të fortë, sidomos me serbin

26.02.2021 12:55:09

Atleti Izmir Smajlaj sapo është kthyer nga Beogradi me një tjetër fitore të rëndësishme, me një medalje ari, pikërisht aty ku u shpall edhe kampion Europe në kërcim së gjati.

Bëhet fjalë për mitingun ndërkombëtar të sallave të mbyllura, “Serbian open indoor meeting”, me pjesëmarrës nga Serbia, Franca, Greqia, Sllovenia Kroacia dhe Bullgaria.

Smajlaj fitoi me gjatësinë 7.91, duke marrë medaljen e tretë të artë brenda vitit 2021, në vetëm 25 ditë. Kjo ishte një garë e vështirë ku pati konkurrentë nga 21 shtete ballkanike e jo vetëm. Ajo që ra në sy në këtë kompeticion në Beograd ishte fakti që atleti shqiptar nuk i mori asnjëherë duartrokitjet e nevojshme përpara çdo kërcimi.

Por ky fakt nuk e pengoi atë aspak, pasi regjistroi rezultatin më të lartë në garë. Dukej qartë konkurrenca e fortë që kishte në këtë garë, e cila u reflektua edhe në reagimet e pjesëmarrësve në garë.

Ai ishte i ftuar në “Wake Up” ku rrëfeu më tepër rreth kësaj sfide të vështirë.

“Ishte një miting shumë i rëndësishëm ndërkombëtar që organizohej nga Federata Botërore e Atletikës. Kisha një konkurrencë shumë të fortë, sidomos me serbin që e munda me barazim rezultati se ai kërceu 7.91, por unë kisha kërcimet e tjera më të mira.

Në fakt mbështetja e spektatorëve është shumë e rëndësishme, sepse të jep adrenalinë më shumë, por nuk e ndjeva në këtë garë dhe nuk është se shqetësohem”, tha atleti shqiptar.