Serbia heq dorë nga Arbitrazhi kundër Kosovës, planifikon reagim tjetër ndaj taksës

23.05.2019 09:20:31

Planet e Serbisë për padi ndaj Kosovës në Arbitrazh kundër taksës ndaj mallrave serbe tashmë janë braktisur.

Serbia nuk do ta padisë Kosovë në Arbitrazh për taksën ndaj mallrave serbe, por ka vendosur të marrë masa të reja kundërshtuese, që aktualisht janë duke u analizuar, shkruan e përditshmja serbe “Veçernje Novosti”.

Sipas saj, Serbia ka hequr dorë nga Arbitrazhi sepse UNMIK, në emër të marrëveshjes së CEFTA-së, është deklaruar jo kompetent.

Në një situatë të tillë, Beogradi është tërhequr nga ideja e padisë ndaj Kosovës  dhe shfaqja e “Kosovës” si emër kryesor në të drejtën ndërkombëtare, mund të nënkuptojë edhe njohje të shtetësisë së saj, për çka është anuluar ideja e dërgimit të çështjes në Arbitrazh, shkruan “Novosti”.

Kosova u bë anëtare në CEFTA në korrik 2007, kurse marrëveshjen e anëtarësimit e ka nënshkruar UNMIK në emër të institucioneve të Prishtinës.

“Novosti” ka kërkuar nga UNMIK një përgjigje pse janë deklaruar jo kompetent për çështjen, por nuk ka marrë një shpjegim. Një prej masave të reja kundërshtuese që Serbia mund të ndërmarrë ndaj Kosovës mund të jetë bllokimi i kamionëve me mallra të cilat udhëtojnë për në Bashkimin Evropian,.

Në një rast të tillë, ekziston rreziku që Serbia të paditet për shkelje të marrëveshjes për stabilitet dhe anëtarësim në BE, andaj hapat e mëtutjeshëm duhet të analizohen mirë, shton “Novosti”.

“Për strategjinë e ardhshme ndaj masave të ndërmarra nga Qeveria e Ramush Haradinajt, mund të bëhet fjalë edhe të premten, kur në Beograd vijnë përfaqësuesit politik të serbëve nga Kosova”, shkruan “Novosti”