Serbia ka qenë e informuar zyrtarisht edhe për detajet më të parëndësishme për operacionin në veri

30.05.2019 14:22:33

Nga Rexhep Kastrati

Për operacionin policor në veri dhe në disa komuna të tjera, Vuçiq jo veç që ka qenë në dijeni, por edhe e ka ditur se është një operacion që zhvillohet në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe korrupsionit, pas trysnive të shumta edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu siç ka ndodhur edhe në Serbi që të ketë jo një, por disa operacione të tilla!

Në fakt, ky operacion ka qenë një formë selektive dhe sa për të thënë në luftën kundër kontrabandës dhe trafiqeve, pasi që nuk është zhvilluar në përputhje me përmasat shqetësuese dhe tepër të rënda që ka çështja e përfshirjes së zyrtarëve të ndryshëm policorë dhe të doganave në kontrabandë dhe trafiqe.

Tashmë është e njohur se regjioni i Mitrovicës është regjioni me përqëndrimin më të madh të kriminialitetit ekonomik dhe jo vetëm ekonomik, i cili duhet thënë se është një formë shumë agresive e bashkëpunimit të të gjithëve: shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve.

Megjithatë, ky operacion që është zhvilluar në kuadër të një bashkëpunimi rajonal, përkatësisht si operacion që do të realizohej nga policia e Serbisë në pjesën përtej kufirit, pra në territorin e shtetit serb, dhe nga policia e Kosovës në një hapësirë të gjerë territoriale dhe administrative te ne, më shumë ishte një film aksion, sesa një aksion i mirëfilltë.

Serbia, nga ana e saj ka realizuar disa operacione të tilla me përmasa të gjera në shumë qytete dhe ka arrestuar shumë zyrtarë të agjensive të ndryshme shtetërore, kurse Kosova e ka shtyrë këtë operacion edhe për të mos u kuptuar bashkërendimi, edhe për të kryer lëvizjet e ndryshme në drejtori të policisë dhe të doganave, në mënyrë që të mos kapen peshqit e mëdhenj, por vetëm disa peshq të vegjël.

Ish-drejtorë doganash, drejtorë aktualë, doganierë, policë etj., kanë mbetur pa u prekur, kurse janë arrestuar punonjës të niveleve mesatare apo të ulëta, duke shmangur kështu një zinxhir arrestimesh që do të ngjiste shkallët përpjetë.

Një veçanti tjetër e këtij operacioni është edhe se shumica e Njësisë Speciale Operative ka qenë e përbërë nga boshnjakë dhe serbë, dhe më pak ka pasur shqiptarë.

Angazhimi i tyre është bërë edhe për të zbutur reagimet e qytetarëve, por edhe për shkak të mundësisë së komunikimit më të lehtë pasi që shumë pjesëtarë të policisë kanë edhe probleme me njohje solide të gjuhës serbe!

Për të gjitha këto ka qenë e informuar qeveria e Serbisë, dhe edhe doganat e stacionet policore në pjesën tjetër të kufirit kanë qenë të informuar për të gjitha detajet, në mënyrë zyrtare, e jo nëpërmjet ndonjë dekonspirimi të mundshëm, edhe pse veprimtaria e institucioneve të Kosovës, të të gjitha niveleve është e dekonspiruar në mënyrë të vazhdueshme.

Zhurma që bën Vuçiq se gjoja nuk ka pasur informacione, është vetëm një taktizim dhe manipulim me të vërtetën, ashtu siç ishte edhe zhurma në rastin e nismës ligjore për FSK-në, dhe për të cilën jo që ka qenë i informuar, por ka ditur çdo detaj të procedurave për të realizuar këtë nismë.

Pra, në nivelin teknik, por edhe operacional, si dhe në atë politik, Serbia ka ditur çdo detaj edhe më të imët për operacionin e zhvilluar në veri, dhe e ka pasur me dije edhe numrin e atyre që do të arrestohen, emrat e tyre, si dhe gjithë informacionet për inkriminimin e tyre.

Serbia, po ashtu, e ka ditur dhe e di se kokat e krimit ekonomik dhe tjetër nuk janë prekur, sepse përmasat e çështjes do të kalonin përtej një niveli të kontrabandës dhe trafiqeve të ndryshme, përkatësisht që do të shtrihej edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në Mal të Zi, edhe në Maqedoni, por do të shkonte edhe në Çeki, Sllovaki, Turqi, Itali, Holandë e më larg.

Pra, bëhet fjalë për ato prëmasa që do të mund të sillnin likuidime të nivelit të Oliver Ivanoviqit, apo edhe më lartë!